Opinion

Narkotrafikantët durrsakë drogë drejt Italisë me dron ujor (Foto)

nga Gjergji Thanasi.

Narkotrafikantët shqiptarë gjithnjë e më shumë po i sofistikojnë mjetet, që përdorin për të trafikuar lloje të ndryshme droge drejt tregut europian apo kanabis drejt atij turk dhe heroinë, armë, municione e lëndë plaëse drejt atij amerikan. Kryesisht janë përdorur mjete innovative si avionë ultra të lehtë, motorra uji nga Vlora drej plazheve të Leces apo edhe veshje të trajlerave dhe kamionëve me materiale speciale, te padepërtueshme nga rrezet e aparaturave skanuese. Tashmë për herë të parë narkosët tanë po përdorin drone ujorë për të transportuar drogë nga Shqipëria (Durrësi) për në Itali. Duke marrë shembull nga përvoja e Flotës Luftarake Detare të Pasdaranëve narkotrafikantët tanë duke blerë pajisje komerciale (në dyqane normale) modifikojnë barka të vogla dhe i shndërrojnë ato në dronë. Të tilla barka të vogla kanë aftësi për të transportuar ngarkesa deri në 50-60 Kg. Në një det të qetë ato lundrojnë pa problem jo vetëm nga Karaburuni për në San Cataldo apo San Foca të Leces por edhe nga Durrësi për në brigjet italiane.

Pikerisht kjo barka e vogël në foto u kap në brigjet italiane në mbrëmjen e 21 qershorit me një ngarkesë prej 2 pakosh, gjithsejt 37 kile kanabis. Barka kishte vetem 2 elika te vogla tip foribord, një motor modest, që maksimumi i jep barkës 10-12 nyje në orë shpejtësi dhe ishte e telekomanduar si dron. Pajisjet e telekomadimit, qe e shndërronin barkën në dron rezultonin të blera në mënyrë komerciale (në dyqan të zakonshëm). Kostoja e barkës dhe e modifikimeve të bëra në të mbulohet me 2-3 lundrime me ngarkesë rreth 40 Kg. kanabis. Pra është një mjet kost/efektiv! Në rast transporti kokaine apo heroine, mjafton një transport i sukseshëm për ta mbluar koston e prodhimit të një barke të tillë të modifikuar.

Përdorimi i një mjeti të tillë ul koston e trafikut, sepse ndër të tjera nuk nuk ka nevojë të paguhet skafisti. Në rast kapje organizata nuk rrezikon, që skafisti të bashkëpunojë me drejtësinë italiane, sepse droni nuk ka gojë për të folur! Rritet propabiliteti, që ngarkesa të mos kapet rrugës. Barka është e pa kapshme nga radarët e komanduar nga QNOD-ja shqiptare për shkak të profilit të ulët në lundrim. Në det të qetë ajo mbërriti shëndoshë e mirë nga Durrësi në Itali. Kuptohet nga Vlora distanca është më e shkurtër si rrjedhim transporti është më i sigurtë. Besohet se tani me përmirësimin e kohës ky lloj transporti është përdorur jo vetëm për të “eksportuar” kanabis, por edhe droga të Klasit A si kokaina dhe heroina, që e bëjnë një transport të tillë edhe më të leverdisshëm.

DIGOS-i italian po shqyrton mundësinë, që një barkë e tillë e telekomanduar të përdoret nga terroristët për të goditur me ngarkesa ekspolzivi relativisht të konsiderueshme portet italiane. Më në fund në Epokën e Rilindjes krimi i organizuar shqiptar ia mbërriti ditës të përdorë edhe teknologji avangardë edhe elementë të luftës asimetrike (hobeja e Davidit të Biblës në duel me Goliathin)! Pa Skënderbeun e Spiropalit një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur!!!/Gazeta Impakt

OPINIONE