Bota

NATO do të rrisë përpjekjet për zgjidhjen politike në Siri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se vendet anëtare të Aleancës kanë zhvilluar një debat “të hapur dhe të sinqertë” në lidhje me zhvillimet në Sirinë verilindore dhe kanë shprehur mbështetje për një zgjidhje politike duke u fokusuar në “të ardhmen”.

Duke folur në një konferencë për media pas seancave të ditës së parë të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg tha se megjithëse vendet anëtare të aleancës kanë mendime të ndryshme lidhur me Sirinë, kjo nuk është hera e parë dhe diversitetet e tilla janë zgjidhur në të kaluarën.

“Ne zhvilluam një debat të hapur dhe të sinqertë në lidhje me Sirinë. Të gjithë aleatët u fokusuan në të ardhmen. Në dritën e zhvillimeve të fundit, dhuna është zvogëluar në masë të konsiderueshme. Në këtë drejtim, ne ramë dakord për rritjen e përpjekjeve për zgjidhje politike në Siri”,- tha shefi i NATO-s.

Ai theksoi se aleatët brenda NATO-s e pranojnë që Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë e saj, ndërsa shprehu nevojën për më shumë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Stoltenberg po ashtu tha se vendet anëtare kanë mendim unanim për sa i përket zbatimit të zotimeve ndaj operacioneve dhe misioneve në rajon dhe ruajtjes së të arriturave në luftën kundër organizatës terroriste DAESH./trt

OPINIONE

INTERVISTA