NATO pret nga aleatët të firmosin protokollin për Maqedoninë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se pret nga aleatët të nënshkruajnë Protokollin e Anëtarësimit për Maqedoninë, pasi vendi ra dakord të ndryshojë emrin pas mosmarrëveshjes disa dekadashe me Greqinë.

Këto komente shefi i NATO-s i bëri gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin rumun, Klaus Iohannis, pas takimit të tyre të mbajtur në Bukuresht.

Duke njoftuar se në takim po ashtu është diskutuar “angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s ndaj politikës tonë të hapur”, Stoltenberg përgëzoi arritjen e marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës.

“Unë pres që së shpejti të gjithë 29 aleatët do të nënshkruajnë Protokollin e Anëtarësimit. Pastaj Shkupi do të jetë pjesë e takimeve si një i ftuar. Pasi të gjithë 29 aleatët të ratifikojnë Protokollin, ne do të jemi në gjendje të mirëpresim Republikën e Maqedonisë së Veriut si anëtare të 30-të të NATO-s”, deklaroi Stoltenberg.

Kur Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s, tha Stoltenberg, “vendi do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë”.

Të premten e kaluar, Parlamenti i Greqisë miratoi marrëveshjen e arritur me Maqedoninë apo “Marrëveshjen e Prespës”, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut”.

Pas ratifikimit të marrëveshjes edhe në Greqi, dy vendet përmbushën detyrimet drejt finalizimit të marrëveshjes, me çka Maqedonisë i hapet rruga për t’u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s me emrin “Maqedonia e Veriut”.

Marrëveshjes e Prespës u nënshkrua në muajin qershor të vitit 2018 nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar finalizoi Marrëveshjen e Prespës me ndryshimet kushtetuese. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne