Ndalohet në Vlorë trageti me mbetje të rrezikshme nga Italia (VIDEO)

Policia e shtetit njoftoi mbrëmjen e së enjtes finalizimin e një operacioni që ndaloi futjen në vend të një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme. Policia thotë se kishte marrë informacione në rrugë operative nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri.

Policia thotë se u organizua puna dhe në bashkëpunim me Policinë vendore të Vlorës dhe atë Kufitare, u finalizua operacioni policor i koduar “Amiant”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: K. Xh., 65 vjeç, A. Ç., 28 vjeç, A. G., 48 vjeç, F. T., 71 vjeç, E. Ç. dhe Z. K., 45 vjeç të gjithë banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Brindisi – Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit. Policia thotë se materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Transportimi i mbetjeve”.Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne