Ndërkohë, Sulltani niset “të pushtojë” Lindjen e Mesme

“Hej, Trump, çfarë po provon të bësh?” Toni është i fortë, i drejtpërdrejtë, siç ndodh zakonisht me udhëheqësin turk. Dhe kriza e Jeruzalemit shndërrohet në shansin e madh të Rexhep Taip Erdoganit. I paparashikuar, pas përplasjeve të fundit me administratën amerikane, që dukej se e kishin vënë Turqinë në një qoshe. Por Sulltanin mund ta akuzosh për gjithçka, përveçse për faktin që është një kafshë politike, me nuhatje shumë të madhe. DHe me vendet arabe formalisht të bashkuar në dënimin e këtij vendimi, por konkretisht të ndarë në reagim, presidenti turk është shfaqur si një fajkua në këtë boshllëk, duke u ngritur si lojtar i ri në Lindjen e Mesme.

Me një aktivizëm të shprehur në 360 gradë. Ndërkohë që ndodhej me një këmbë në shkallët e avionit që do e shpinte në Greqi, në vizitën e parë të një presidenti turk pas 65 vitesh (kur ai ende nuk kish lindur), në mëngjes kishte shpalosur disi strategjinë e tij, duke hedhur në tryezë asin: telefonatën me Papën. “Vazhdoj bisedimet e mia jo vetëm me udhëheqësit e shteteve arabe dhe myslimane. Sepse Jeruzalemi është i shenjtë edhe për të krishterët, dhe duhet të diskutoj çështjen me Papën”. Diplomacia turke i kishte sinjalizuar menjëherë se Françesku ishte shprehur në favor të status quo-së në Tokën e Shenjtë. Një pozicion që, sipas burimeve zyrtare të Ankarasë, Erdogani e ka ndarë dy ditë më parë me Papën në telefon, dhe pak orë më vonë bëri të njëjtën gjë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Carit, të cilin Erdogani e ndjen tashmë më pranë se sa kreun e Shtëpisë së Bardhë – nga i cili ka mbetur i zhgënjyer (për mbështetjen që u ka bërë kurdëve, por edhe mos ekstradimin e Imamit Fetullah Gulen i akuzuar për grusht shteti) – i ka shpjeguar se përse ka thirrur në 13 dhjetor në Turqi, mbledhjen e Organizatës për Bashkëpunimin Islamik. Më pas ka vazhduar me biseda të tjera telefonike, me krerët e Britanisë së Madhe, Francës, Spanjës dhe Gjermanisë.

Si një udhëheqës i vërtetë i Lindjes së Mesme, Erdogani i njeh mirë aktorët në rajon. Dhe përtej dënimeve formale që kanë bërë ata, ka rrokur në ajër dallimet mes boshtit që për voli të llojeve të ndryshme mbështet Trumpin (Arabia Saudite, Emiratet Arabe, Bahreini, Egjipti) dhe ai që e kundërshton (Jordania, Irani, Siria, Iraku, Hezbollahu). Të gjithë atyre, Sulltani që sheh me nostalgji nga Perandoria otomane u ka thënë: “Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit është e barazvlefshme me hedhjen e rajonit në një unazë zjarri”. Turqia zbriti menjëherë në sheshe. Nga Stambolli në Anadoll, nga Deti i Zi deri në juglindje.

Në mesditë i hipi avionit shtetëror dhe në më pak se një orë mbërriti në Athinë. Për një vizitë 48-orëshe, të mbushur me pritje dhe nyje për t’u zgjidhur. Ka kërkuar ekstradimin e tetë zyrtarëve të konsideruar anëtarë të grushtit të shtetit. Ka sugjeruar përditësimin e “Traktatit të Lozanës”, që përcakton kufijtë e Turqisë dhe Greqisë. Ka diskutuar çështjen e ishullit të Qipros. Më pas, shkëmbimet dypalëshe në tregti. I palodhur, sot do të jetë në rajonin e Trakisë që e ndan me Greqinë, për të takuar pakicën myslimane dhe marrë pjesë në faljen e të premtes në xhaminë e vjetër të Komotinit. Me objektivin për të kompaktësuar përreth vetes, nën shenjën e fesë, të gjithë ndjekësit. Ata të vjetrit dhe të rinjtë që duhet të bëjë për vete. /Sette/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne