Ndërpritet greva e minatorëve të Trepçës, pas marrëveshjes me ministrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, së bashku me Shyqeri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës” dhe i Këshillit Grevist kanë nënshkruar sot një marrëveshje gjashtë pikëshe me të cilën nisë trajtimi i të gjitha kërkesave të minatorëve dhe njëkohësisht ndalohet greva e minatorëve e nisur para pesë ditësh në Stantërg.

“Takimi që zgjati më shumë se pesë orë është udhëhequr nga ministri Valdrin Lluka, ndërsa aty morën pjesë edhe Gazmend Abrashi, këshilltar i Kryeministrit, Shyqeri Sadiku, kryetar i sindikatës dhe i Këshillit Grevist të Minatorëve, së bashku me tre anëtarë të tjerë dhe Miftar Hyseni, u.d. i kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”.

Pas një debati përmbajtjesorë dhe konstruktiv rreth kërkesave, të cilat kryesisht ndërlidhen me procesin e miratimit dhe me përmbajtjen e Projekt- Statutit të Ndërmarrjet ”Trepca” sh.a., pjesëmarrësit u pajtuan për hapat që duhet ndërmarrë me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale në “Trepçë” dhe ndërprerjes së grevës së minatorëve”, thuhet në njoftimin për media.

Pjesëmarrësit në këtë debat, plotësisht u pajtuan që me propozimin e menaxhmentit aktual të “Trepçës”, Qeveria të vendos që vendburimi Zjaça, të hiqet nga zonat e interesit të veçantë; të formohet një grup ndërinstitucional i ekspertëve, i cili duhet të ofroj propozimin që në kuadër të ndërmarrjes “Trepça” të përfshihen edhe asetet fizibile të cilat aktualisht nuk janë të përfshira në Projekt-Statutin e ndërmarrjes, dhe formimin e një grupi punues që do të ofrojë zgjidhje për kërkesat sociale që kanë minatorët e ndërmarrjes, të cilat duhet të trajtohen me ligj të veçantë.

Sipas Marrëveshjes, grupet punuese dhe të ekspertëve do të formohen më së largu deri të premten më 24.07.2018;

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Këshilli Grevist i Minatorëve të “Trepçës” është pajtuar për ndërprerjen e grevës për tre muaj. /Telegrafi/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne