Nga Elton Qyno
Një aksion i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Teritorit është marë ditën e sotme në kompleksin rezidencial të quajtur “Secret Garden”, i cili ndodhet në fshatin Lundër të Tiranës.
Mësohet se inspektorë të IKMT-së, ata të IMT-së pranë bashkisë Tiranë dhe efektivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë shkuar në ambjentet e rezidencës lukzoze, për verifikimin e ndërtimit të vilave pa lejë, nga ana e ndërtuesit të këtij kompleksi, Shefki Karamuça.
Ky i fundit ka mbajtur disa vite më parë postin e kryetarit të bashkisë Vorë, ndërsa tashmë për shkak të lidhjeve me kryeministrin Edi Rama, është natyralizur në biznesmen i sukseshëm ndërtimi duke ngritur pallate dhe komplekse vilash në Tiranë dhe Sarandë.
Në dhjetor të vitit 2024, gjykata e Tiranës vendosi konfiskimin e të paktën 7 vilave të reja dhe luksoze në zonën e Mulletit në Tiranë. Një hetim i nisur nga Prokuroria e kryeqytetit në vitin 2023, zbuloi se ato ishin ndërtuar pa leje.
Skema e ndjekur ishte mjaft interesante por edhe shumë e kuptueshme se pas tyre fshihet biznesmeni i “Secret Garden”.
Porositësit e këtyre vilave kishin pajtuar arkitektët, Armand Prelezi dhe Klevis Bregu për të bërë aplikimet për leje ndërtimi në institucionet përkatëse.
Ata kishin paraqitur dokumenta si të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe se po aplikonin për ti rregulluar, rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para banesat e tyre, referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave të dala pas lëkundjeve të forta sizmike.
Arkitektët dhe porositësit, tashmë të dënuar, për të vijuar më tej kamuflimin e ndërtimeve të paligjshme, kanë projektuar dhe ndërtuar vila të njëjta në volum, kate dhe pamje, me ato të “Secret Garden”.
Ndërkohë që më parë se të ndodhte tragjedia e tërmetit, asnjë objekt qoftë i ri apo i vjetër nuk ndodhej në atë zonë.
Tashmë, prokuroria e Tiranës ka veçuar dosje hetimore për verifikimin e rolit të inspektorëve të IMT-së së bashkisë Tiranë dhe strukturave të tyre drejtuese në lejimin e kësaj paligjshmërie, duket se kanë përjashtuar nga dyshimet biznesmenin Shefki Karamuça, megjithëse detajet e siguruara nga vetë grupi hetimor ngrenë dyshime për një bashkëpunim të mundshëm të pronarit të “Secret Garden” me ndërtuesit e paligjshëm të shtatë vilave.
Vilat pa leje janë saktësisht si godinat e kompleksit “Secret Garden”. Kushdo që merret me ndërtimet, e ka të qartë se ndërtimi i dy godinave të ngjashme në çdo detaj nuk realizohet me “fotokopje”.
Për këto raste kërkohet që secila nga godinat të ketë të njëjtin projekt strukturor dhe arkitektonik, përfshirë dhe lejën për përcaktimin e gjurmës tokësore të ndërtimit.
Në rastin konkret, projektet e vilave të paligjshme, si rregull, kanë qenë vetëm në dispozicion të shoqërisë “G & P” të Shefki Muçës. Pra, dyshimi i parë që krijohet është që “ndërtuesit e paligjshëm” kanë siguruar projektet e “Secret Garden” për të ndërtuar vilat e tyre pa leje e për t’i “kamufluar” për të mos u dalluar nga ndërtesat e tjera të rezidencës private./boldnews


















