Opinion

Ndikimi i Lidhjes së Prizrenit mbi mendimin dhe publicistikën shqiptare

Faktor i brendshëm shqiptar për ta formuar Lidhjen e Prizrenit ka qenë formimi i një elite shqiptare, e cila edhe pse ishte formuar në gjirin e Perandorisë Osmane, mori një kurs të fortë kombëtar, në kohën kur u shpërfaqën dobësitë e Perandorisë Osmane dhe kur u rritën pretendimet e kombeve fqinje, serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezve, për të grabitur tokat shqiptare. Në gjirin e kësaj elite kishte diplomatë, profesorë, shkrimtarë, ushtarakë, etj., të cilët kishin mbërritur në kulmin e karrierave të tyre dhe në fazën që ishin, kishin vetëdijesimin se duhej të bënin diçka më shumë për atdheun e për kombin e vet

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Lidhja e Prizrenit është ngjarja më e rëndësishme në historinë e re të shqiptarëve, sepse i nxjerrë për herë të parë qartë kërkesat politike e kulturore të shqiptarëve për të krijuar identitetin kombëtar e, rrjedhimisht, edhe shtetin kombëtar shqiptar. Programi i saj kryesor filloi si program politik dhe format e organizimit si një organizatë politiko-ushtarake. Këtë model të organizimit e imponuan ngjarjet që u zhvilluan në Perandorinë Osmane (imponimi nga ana e Rusisë i Traktatit të Shën Stefanit, që copëtonte territoret shqiptare) dhe Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i cili edhe e legjitimoi gllabërimin e tokave të banuara me shqiptarë nga shtetet e reja ballkanike, Serbia e Mali i Zi. Pas shpërbërjes së Lidhjes së Prizrenit, si organizatë politike-ushtarake, shqiptarët iu kthyen organizimit kulturor, duke gjetur hapësira të reja të mobilizimit kombëtar e të afirmimit të ideve komb-formuese e shtet-formuese.

Ky rend i lëvizjeve në kuadër të Rilindjes Kombëtare, fillimisht si lëvizje politiko-ushtarake e, më vonë, kulturore, ishte i imponuar nga rrethanat e pafavorshme, me të cilat u ballafaquan shqiptarët në shekullin XIX. Natyrisht, mobilizimi politik e ushtarak në atë përmasë kombëtare ka qenë i frymëzuar edhe nga frytet e lëvizjes kulturore, që ekzistonte edhe më herët në gjirin e lëvizjes, por që ishte më e zbehtë dhe në një proces më të ngadaltë konsolidimi. Zhvillimet politike ndikuan si katalizatorë edhe për dinamizmin e lëvizjes kulturore shqiptare. Urgjenca e zhvillimeve politike ia imponoi edhe lëvizjes kulturore tonin dhe tematikën kryesore që do të trajtohej prej saj. Ishte fjala për një reagim urgjent ndaj faktorëve të jashtëm, që po e kërcënonin kombin shqiptar me zhbërje. E para, pasi Perandoria Osmane u detyrua pas disfatës në luftën ruso-turke që ta pranonte projektin rus të emërtuar si Traktati i Shën Stefanit (1877), kjo u përjetua si rrezik direkt për shqiptarët. Lëshimet territoriale, të cilat po i bënte Perandoria Osmane në favor të krijimit të një shteti të madh bullgar, përfshinin një hapësirë të madhe të territoreve shqiptare. Traktati parashihte që Bullgarisë t’i jepej Maqedonia e sotme, Kosova deri në Sharr, dhe Shqipëria e mesme, duke u zgjatur deri në bregdetin e sotëm shqiptar. Fuqitë e Mëdha evropiane nuk kanë pasur si ta pranonin këtë projekt, pasi që me të Rusia do të merrte zemrën e Ballkanit.

Si rezultat i refuzimit të Fuqive të Mëdha ndaj Traktatit të Shën Stefanit, në qershor të vitit 1878 u organizua Kongresi i Berlinit, në të cilin u anuluan vendimet e Traktatit të Shën Stefanit. Edhe pse nuk u pranua krijimi i Bullgarisë së Madhe, sipas projektit rus, në Kongresin e Berlinit u bë një vizatim i ri i hartave të Ballkanit, që rezultoi me pavarësinë e Serbisë e Malit të Zi dhe me pranimin e një Bullgarie autonome. Shqipëria e Kosova, bashkë me Maqedoninë e sotme, mbeten edhe më tutje nën Perandorinë Osmane. Me një fjalë, Kongresi i Berlinit e ligjësoi riorganizimin e territoreve shqiptare në favor të fqinjëve ballkanikë, ndërsa Perandoria Osmane u tregua e paaftë që ta mbronte tërësinë e saj formale. Prandaj, kjo është periudha kur shqiptarët e kuptuan përfundimisht që Perandoria Osmane më nuk ishte e aftë për t’i mbrojtur, prandaj ata e intensifikuan organizimin politiko-ushtarak dhe kulturor, i cili merrte përsipër mbrojtjen e territoreve të veta me anën e fuqisë së vetë shqiptarëve. Ky ishte faktori i jashtëm, që shqiptarët i kishte detyruar të lëviznin nga status quo-ja, ku kishin qëndruar gjatë.

Faktorët që ndikuan në formimin e Lidhjes së Prizrenit

Faktor i brendshëm shqiptar për ta formuar Lidhjen e Prizrenit ka qenë formimi i një elite shqiptare, e cila edhe pse ishte formuar në gjirin e Perandorisë Osmane, mori një kurs të fortë kombëtar, në kohën kur u shpërfaqën dobësitë e Perandorisë Osmane dhe kur u rritën pretendimet e kombeve fqinje, serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezve, për të grabitur tokat shqiptare. Në gjirin e kësaj elite kishte diplomatë, profesorë, shkrimtarë, ushtarakë, etj., të cilët kishin mbërritur në kulmin e karrierave të tyre dhe në fazën që ishin, kishin vetëdijesimin se duhej të bënin diçka më shumë për atdheun e për kombin e vet. Ndër ta veçohen Hoxha Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Petro Poga, etj. Aktiviteti më i rëndësishëm i këtij grupimi intelektualësh u zhvillua në asociacionin “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip (tetor 1879)” ose “Shoqëria letrare” a “Shoqëria e Kostandinopojës”, sikundër i emërton Mid’hat Frashëri. Ky ishte një organizim kulturor legal, i cili kishte lejen e veprimit nga autoritetet osmane. Nga aktivitetet e kësaj shoqërie kulturore e atdhetare u realizua botimi i librave shkollorë, botimi i revistës letrare “Drita” (përkatësisht “Dituria”) e u iniciua edhe studimi i gjuhës shqipe. Alfabeti që përdorej nga kjo shoqëri ishte alfabeti latin, gjë që trasoi rrugën dhe e lehtësoi miratimin e alfabetit latin në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Mid’hat Frashëri pohon: “Shoqëria letrare zhvilloi një veprimtari mjaft të madhe për të përhapur mësimin në gjuhën shqipe dhe për ta bërë praktike studimin e gjuhës kombëtare.”(Kulla: 132) 

Përderisa pikat kryesore të programit të “Shoqërisë letrare” ishin kultivimi dhe studimi i gjuhës shqipe, përgatitja e librave për shkolla në gjuhën shqipe, pikat kryesore të programit të Lidhjes së Prizrenit, në sfondin e procesit të rrezikshëm të copëtimit të territoreve shqiptare, kishin qenë: ruajtja e tërësisë territoriale të gjithë territoreve të tokave shqiptare, duke u përfshirë në një vilajet (entitet) të vetëm, ngritja e gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare, kryerja e shërbimit ushtarak brenda territoreve shqiptare (përveç në raste të luftërave) e kështu me radhë. Lidhja pati organizuar edhe njësitë ushtarake për mbrojtjen e Plavës, Gucisë dhe të Ulqinit.

Është me rëndësi të theksohet se Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit është mbajtur tre ditë para fillimit të punëve të Kongresit të Berlinit. Pra, ishte një ngjarje që ka pasur synimin t’i paraprijë një ngjarjeje për ta bërë me dije se ekzistojnë shqiptarët dhe se kanë kërkesat e tyre politike. Por kryetari i Kongresit të Berlinit, Otto von Bismark, citohet të ketë thënë se Shqipëria është vetëm një nocion gjeografik. Për shkak të raportit të pafavorshëm të forcave, Lidhja për fat të keq nuk i përmbushi objektivat e veta, mirëpo, rezultati më i madh i saj ka qenë që megjithatë ka mbërritur ta ndërkombëtarizojë çështjen e shqiptarëve dhe, pas aktivitetit të Lidhjes, as Bismarku dhe askush tjetër nuk kanë mundur të thotë se fjala Shqipëri ekziston vetëm si një nocion gjeografik. Lidhja e Prizrenit i ka kompaktësuar shqiptarët deri në njëfarë mase, pavarësisht prej përkatësive fetare dhe rajonale. Ka qenë një Lidhje në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë pa marrë parasysh përkatësitë, e cila ka ndikuar në formimin e kombit shqiptar mbi një koncept të gjuhës, prejardhjes dhe historisë së përbashkët. Ky është rezultati më i madh që ka realizuar Lidhja e Prizrenit. Pra, që ka krijuar bazat ideologjike e kulturore të formimit të kombit e të shtetit shqiptar. Rilindësit tanë kanë qenë vizionarë. Nëse marrim për analogji mënyrën e formimit të kombeve fqinje ballkanike, serbëve, kroatëve e boshnjakëve, shohim se ata ndoqën rrugën e ndarjes në vija fetare, edhe pse gjuhën, historinë e hershme dhe prejardhjen etnike i kishin të përbashkëta. Tek shqiptarët kjo për fat të mirë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ka ndodhur bashkimi dhe kompaktësimi në idenë e një kombi unik në bazë të historisë, gjuhës, kulturës, prejardhjes së përbashkët dhe kjo është njëra prej meritave më të mëdha që ka pasur Rilindja Kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit që, si e tillë, është lëvizje që ka vënë themelet e kombit shqiptar.

Mbi këtë ideologji kombëtare janë formuar edhe mediat dhe shtypi shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Pra, janë media dhe është një shtyp, i cili e ndjek në masën më të madhe këtë ide kombëtare të formimit të kombit dhe të shtetit mbi parimet e gjuhës, historisë, prejardhjes së përbashkët dhe vlerave që i kanë formuar Lidhja e Prizrenit dhe ideologët e saj. Tashmë kërkesat politike dhe kulturore të shqiptarëve ishin të artikuluara në atë mënyrë që tregonin se ishte formësuar një komb i veçantë, me kërkesa të veçanta politike dhe kulturore. Normalisht, edhe shtypi shqiptar i asaj periudhe ishte në masën më të madhe zëdhënës i këtyre kërkesave politike dhe kulturore kombëtare dhe, si i tillë, padyshim ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në afirmimin e këtyre kërkesave dhe në kompaktësimin politik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Pra, shtypi ka qenë thjesht një mjet, në duart e elitës politike dhe intelektuale shqiptare në luftën e saj për identitet dhe shtet kombëtar.

Fryma romantike e publicistikës së Rilindjes Kombëtare

Një element i rëndësishëm që ka ndikuar në natyrën e shtypit shqiptar të asaj periudhe të Rilindjes, ka qenë se shtypi ka bashkëjetuar me frymën e Romantizmit, si një lëvizje letrare dhe kulturore, e cila në fokus të vetin kishte pikërisht afirmimin e vlerave kombëtare, krenarinë me të kaluarën, kultin për gjuhën e për atdheun. Prandaj, kemi të bëjmë me një shtyp që brenda vetes ka një simbiozë interesante, një shtyp që është mjet politik dhe armë ideologjike e çastit konkret jetësor e në të njëjtën kohë brenda vetes i ka disa elemente stilistike të romantizmit ëndërrimtar. Prirjet e Pashko Vasës, të Sami Frashërit, të Abdyl Frashërit, por edhe të të tjerëve për ta glorifikuar të kaluarën e lashtë, prejardhjen pellazge të shqiptarëve, për të treguar se shqiptarët kanë epërsi ndaj të gjithë popujve të tjerë, se i kanë bërë shërbime të mëdha Evropës e kështu me radhë, janë projeksione romantike në esencën e tyre, sepse – përmes tyre – thjesht bëjnë përpjekje ta zmadhojnë rëndësinë dhe vlerën e kombit shqiptar. Kështu që gazetaria shqiptare e periudhës së Rilindjes, në një farë mënyre, bashkëjeton me letërsinë romantike, sepse kanë dhënë dhe kanë marrë njëra prej tjetrës. Kjo është një karakteristikë e stilit të saj dhe e përmbajtjes së një pjese të madhe të gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes, pra, të periudhës së shek. XIX. Karakteristika kryesore e shtypit shqiptar të periudhës së Rilindjes është se është zhvilluar kryekëput në diasporë. Pra, të gjitha gazetat, revistat e përkohshme që kanë dalë prej vitit 1848 deri më 1912, janë botuar jashtë Shqipërisë. Arsyet se përse kështu ka ndodhur janë të shumta, por ne do të fokusohemi vetëm në një aspekt qenësor të kësaj, dhe kjo ka të bëjë në fakt me krijimin e një elite shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, e cila aktivitetin e vet e realizonte në qytetet e mëdha të Perandorisë Osmane, e më vonë edhe në qytetet e mëdha të shteteve të reja ballkanike, që u krijuan, po edhe të atyre evropiane. Kjo lidhet thjesht me statusin dhe fatin e tyre. Shumica e ideologëve të Rilindjes Kombëtare, duke përfshirë Hoxha HasanTahsinin, Pashko Vasën, Abdyl, Sami e Naim Frashërin, KotoHoxhin, Petro Pogën, Jani Vreton, etj, kanë jetuar në Stamboll, në Liban, ose në Egjipt, pra në qytete ose metropole të mëdha, që ishin pjesë e Perandorisë Osmane ose që kishin qenë pjesë e saj.

Larmia gjuhësore si qëllim strategjik

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj ka të bëjë me qëllimin e tyre parësor, që të ndikojnë mbi opinionin publik të vetë Perandorisë Osmane, por edhe të shteteve tjera evropiane në mënyrë që të kuptoheshin më mirë kërkesa politike dhe kulturore të shqiptarëve. Shumë prej këtyre personaliteteve, tekstet e veta i kanë shkruar në gjuhë të tjera, frëngjisht, greqisht, turqisht, arabisht, gjermanisht, e kështu me radhë, sepse qëllimi i tyre ishte që të komunikojnë me opinionin publik të atyre shteteve në të cilët ata jetonin ose me diplomacinë të cilët merreshin me çështjen shqiptare.

Një karakteristikë tjetër e shumë revistave të asaj kohe ishte se kanë qenë ose dygjuhësore ose trigjuhësore, pra dilnin edhe në shqip, por paralelisht edhe në një ose dy gjuhë të tjera dhe kjo prapë inkuadrohet në këtë ide të pasjes mundësi të komunikohet edhe me ata që nuk dinë shqip, por që flasin gjuhë të tjera. Normalisht, këtë mundësi të komunikimit në gjuhë tjera, shumicës së këtyre intelektualëve ua ka mundësuar fakti që ata kanë qenë intelektualë të formatit të lartë, kanë ditur shumë gjuhë, jo vetëm t’i flasin por edhe t’i shkruajnë, dhe kjo u ka mundësuar që të shkruajnë edhe në gjuhë të tjera. Fjala vjen, Hoxha Tahsini ka folur dhe ka shkruar njëmbëdhjetë gjuhë paralelisht, pra ka qenë një poliglot, i cili nuk e ka pasur vështirë që të komunikojë në cilëndo prej 11 gjuhëve.

Në realitetin e zvogëluar, në horizontin e ngushtuar kulturor, neve sot na duket e çuditshme që njerëzit e asaj periudhe kanë pasur aso aftësish, që të flasin aq shumë gjuhë, por në kushtet e një aktiviteti politik, kulturor, intelektual, në një perandori siç ka qenë Perandoria Osmane, edhe në rritjen e komunikimeve, siç ka qenë periudha e shek. XIX dhe XX, kjo duket një gjë shumë e natyrshme, aq më tepër që shumica e tyre kanë qenë diplomatë dhe njerëz që tërë jetën janë marrë me punë intelektuale. (Fragment nga një tekst më i gjatë)/ shenja

OPINIONE