Ndjesa e qeverisë si Ngjarje Kompensimi 50 milionë euro për Kastratin

Sot dy ministra të qeverisë shqiptare, ai për Financat dhe Ekonominë Arben Ahmetaj dhe i Infrastrukturës dhe Ekonomisë, Damian Gjiknuri, kanë prezantuar në Kukës të ashtuquajturën paketë të negociuuar për tarifën e rrugës Durrës-Kukës. Siç bëhet e ditur, tarifa për qytetarë të Qarkut Kukës është 100 lekë të reja për automjetet personale dhe për 44 kalime. Efekti financiar i kësaj negociate shkon në 48.5 milionë euro, të cilat qeveria shqiptare merr përsipër t’ia paguajë konçesionarit. Ministri Gjiknuri ka pranuar madje se qytetarët po tarifohen për një rrugë ndaj së cilës nuk ka alternativë, çka e bën shumë ironike emërtimin Rruga e Kombit, e cila është e vetmja që lidh dy hapësira dhe ku mund të kalosh përkundejt pagesës.

Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë. Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në Shtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës.

Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues, tha Gjiknuri.

Ndërhyrja që po bëhet është në nivel kontrate, pasi koncesionari këtu zotohet që të mos zbatojë dispozitat e nënshkruara në vitin 2016, ndërkohë që qeveria duket se ka rënë dakord që të reflektojë një kërkesë të qytetarëve për ulje tarife.

Përtej fjalëve të bukura, kjo negociatë, që I faturon qytetarëve të të gjithë vendit një shumë prej rreth 50 milionë eurosh, është shembulli më i mirë i paaftësisë së zyrtarëve që dalin nga kjo mesele pa u lagur. Z. Gjiknuri nuk e ka për gjë që të shfaqet pak sentimental dhe të flasë me terma socialë, por nuk ka asnjë gatishmëri që të kërkojë përgjegjësi për keqnegocimin e kontratës së parë e cila duket se nxori fiasko qeverinë. Ndoshta z. Gjiknuri mund të mbrohet duke thënë se ky është një vendim I Këshillit të Ministrave, njësoj si atëherë kur deklaroi se marrëveshja me CEZ ishte ligj i parlamentit. Por duhet të mbajmë parasysh se kontrata e miratuar ka dy palë, njëra prej të cilave është Ministria që drejtohet nga z. Gjiknuri e cila aty prezantohet në emër të Republikës së Shqipërisë.

Kontrata është e gjatë, me përmbajtje të theksuar tekniko-juridike, ndaj ajo së pari është çështje e ekspertizës.

Ndonëse ka parashikuar reduktim tarifash për banorë të zonës, madje ka edhe një listë kategorish të përhjashtuara, ajo nuk arriti që të imponohej në zbatimin e saj si një dokument I pranueshëm. Këtë dështim në ekspertizë nuk e mbulon dot as ndjesa e z. Rama, i cili tha se nuk ishte bërë puna e duhur sqaruese, pasi një punë sqaruese nuk mund të zhvillohet duke rinegociuaar termat e kontratës. Një punë sqaruese nënkupton takime me banorët për t’u thënë se do paguajnë më pak, aq apo kaq, duke zhbërë këtë gjoja kekquptimin e vazhdueshëm që nxisin mediat.

Nëse i hedh një sy kontratës, ajo garanton monopolin e koncesionarit – në këtë rast kompanisë Kastrati – mbi autostradën, për të gjithë punimet dhe shfrytëzimin e saj, përfshi veprimtari të tjera fitimprurëse në të përveç tarifës që merret e cila në dokument njëherë quhet taksë, e njëherë tarifë.

Më tej akoma, në të gjithë dokumentin, nuk parashikohet asnjë sanksion – në terminologji – për koncesionarin, ndaj të cilit edhe nëse nuk përmbush detyrimet, i konsiderohen si Ngjarje Kompensimi.

Të gjitha këto favorizime, pavarësisht faktit se në dokument thuhet qartësisht dhe prerë se Pronësia e Autostradës është e Autoritetit Kontraktor gjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit.

Cili është ai pronar që disponon një pasuri të tillë dhe e jep në këtë formë shfrytëzimi? Cili është ai shtet që ofron një kontratë që në disa aspekte të kujton privilegje si ato të kapitulacioneve në Perandorinë Osmane? Me siguri askush.

Kjo është padyshim ndjesa më e shtrenjtë në historinë e Shqipërisë, e cila sot kalon pa asnjë përgjegjësi, por duke futur duart në xhepat tanë. Z. Rama bashkë me vartësin e tij, duhet më së paku të kërkojnë përgjegjësi te stafi i Ministrisë që ka hartuar kontratën mbi të cilën kanë vënë firmën. Dhe këto stafe kanë emra dhe mbiemra.

Është e papranueshme dhe poshtëruese që një gabim i tillë të përbëjë Ngjarje Kompensimi që përmbushet me paratë tona. Le të na thotë z. Gjiknuri se çfarë do të bëjë apo thotë ai, në eventualitetin e një proteste për tarifën e rrugës Tiranë-Durrës, apo rrugë të tjera?

Ministri ka detyrimin të përgjigjet edhe për faktin se me nisjen e aplikimit të tarifës, fillojnë detyrimet për përmbushjen e kontratës nga koncesionari, ndaj të cilit kërkohen punime kapitale, ndërtimi i gjashtë mbikalimeve, një rrethrrotullimi, si dhe të punimeve fillestare gjeoteknike. Sigurisht për këto nuk proteston njeri, sepse qeveria e ka këtë aset në xhep: atë të një populli që është mësuar me të keqen dhe me idenë se vendi dhe pasuria e tij, janë çështje që nuk i përkasin.

Por qeveria e ka për detyrë që të ndjekë këtë inpsektim ndaj një koncesionari që fiton të drejta të paprecedenta në një aks që e paguam të gjithë. A është i aftë stafi i Ministrisë së z. Gjiknuri ta bëjë këtë? Me siguri që jo, nisur nga shakaja 48.5 milionë eurosh është shumë e hidhur dhe mbi të gjitha që nuk ka ende një fytyrë, një emër dhe një firmë për të cilën të mund të flasim. Me siguri që jo pot ë kemi parasysh edhe dështimin me pesë kontratat e rrugëve të ndjekura nga ARRSH, për të cialt Banka Botërore kushtëzoi financimin me rishikimin e termave të tyre. Mund të fshihet çdo gjë, por jo paaftësia në këtë përmasë. E cila për kulmin e ironisë na qenka Ngjarje Kompensimi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne