Ndryshime te ‘Infrastruktura’; largohen nga detyra dy zëvëndësit e Ballukut, emërohen krerët e rinj të ARRSH dhe KESH

Në krye të ARRSH-së është emëruar Ami Kozeli.

Gentian Gjyli është larguar nga drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ai është marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera” dhe ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Në vend të tij, në krye të ARRSH-së është emëruar Ami Kozeli. Kozeli është liruar nga detyra si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë për të marrë drejtimin e këtij institucioni.

Ndërkohë, ndryshime janë bërë edhe në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Viola Haxhiademi është emëruar drejtoreshë e re e KESH-it, institucion që më herët drejtohej nga Ermal Elezi. Edhe Elezi ndodhet në masën e “arrestit shtëpiak” me vendim të GJKKO-së, i akuzuar për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.

Pavarësisht këtyre lëvizjeve në drejtimin e institucioneve, si Ami Kozeli ashtu edhe Viola Haxhiademi do të vijojnë të jenë në varësi të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Drejtori i KESH Erald Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Kreu i ARRSH, Gentian Gjyli akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne