Ndryshimet kushtetuese/ Gjiknuri e-mail PD-LSI: Konfirmoj pjesëmarrjen sot, propozimet konkrete dërgojani paraprakisht anëtarëve të Këshillit Politik

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri ka konfirmuar pjesëmarrjen sot në orën 17:30 në tryezë teksa ka kërkuar nga opozita jashtëparlamentare që propozimet për ndryshimet kushtetuese t’i dërgojnë paraprakisht tek anëtarët.

Gjiknuri gjithashtu i është përgjigjur Vasilit dhe Bylykbashit me një e-mail duke theksuar se nisma e opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese i është prezantuar PD- LSI më 21 korrik, madje i është dhënë edhe një kopje nga sekretaria.

Kjo do të thotë se sot në orën 17:00 do të mblidhet Këshilli Politik për herë të dytë për ndryshimet kushtetuese teksa nga mazhoranca do të jenë Gjiknuri , nga opozita parlamentare Murrizi- Hajdari kurse nga opozita jashtëparlamentare Bylykbashi- Vasili.

Ditën e djeshme në një e-mail të vonë Bylykbashi dhe Vasili ngritën shqetësimin se mazhoranca po i bënte fakt të kryer ndryshimet kushtetuese teksa konfirmuan nga ana e tyre se Opozita e Bashkuar nuk ka ndërprerë apo të ketë qenë kundër dialogut për këto çështje.

E-MAILI NGA DAMIAN GJIKNURI

Ju rikujtoj se në mbledhjen pesë orëshe të datës 21 Korrik, thërritur prej nesh, ju është prezantuar nisma e opozitës parlamentare për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, procedura e ndjekur nga Kuvendi, varianti i dakordësuar dhe miratuar nga Këshilli i Rregullores dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut bashkë me relacionin përkatës.

Ndonëse dokumenti ka qenë krejtësisht publik, në faqen zyrtare të Kuvendit, ashtu sikurse të gjitha seancat e zhvilluara në komisione kanë qenë të hapura e publike, meqenëse ju deklaruat se ishit në mungesë dijenie, ju dorëzua edhe zyrtarisht një kopje nga sekretaria e Këshillit Politik.

Në kushtet kur ju pranoni mungesën e propozimeve konkrete të cilat do duhej të ja dërgonit paraprakisht anëtarëve të Këshillit dhe duke vlerësuar gjithësesi gatishmërinë tuaj për tu takuar, ju konfirmoj pjesëmarrjen në mbledhje./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne