Ndryshimet në Arabinë Saudite, kleriku: Gratë s’kanë pse mbulohen

Gratë saudite nuk kanë pse të veshin abajën, një veshje e gjatë dhe e lirshme, e ngjashme me një pelerinë, që përdoret për të mbuluar trupat e tyre në publik.

Mbretëria islamike është përfshirë nga një erë ndryshimi. Komentet e fundit mjaft domethënëse vijnë nga një prej klerikëve më të rëndësishëm në vend, pikërisht Sheikh Abdullah al-Mutlaq.

Abaja është e detyrueshme me ligj në Arabinë Saudite dhe fakti që një prej zërave më të rëndësishme në çështjet fetare thotë se s’është më e nevojshme, paralajmëron ndryshime të reja në bazën ligjore.

Sipas klerikut al-Mutlaq, i cili është pjesë e Këshillit të fuqishëm të Studiuesve të Lartë, 90 për qind e femrave të devotshme myslimane në botë nuk mbajnë abaja, prandaj Arabia Saudite nuk duhet të detyrojë askënd që ta përdorë këtë veshje.

Komentet e tij shkaktuan mjaft reagime online, me njerëz që u shprehën pro dhe kundër idesë së re. Ndërhyrja e sheikut pason disa lëvizje për të modernizur shoqërinë saudite të nxitur nga princi i kurorës Mohammed bin Salman.

Një nga qëllimet kryesore të reformës është garantimi i më shumë lirive për femrat, të cilat në arabinë saudite përballen me rregulla të rrepta të izolimit gjinor. Një prej ndryshimeve historike ishte ai i shtatorit 2017, kur autoritetet lejuan femrat që të marrin pantentën dhe të ngasin makinat.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne