Ndryshimet në TV/ A po armatoset Top Channel kundër qeverisë

Prezantimi i Ben Blushit si Drejtor i  Përgjithshëm i  televizionit më të madh në vend ka rindezur edhe njëherë zërat se Top Chanel po merr një drejtim opozitar në konflikt të hapur me qeverinë. Ben Blushi u emërua në këtë detyrë menjëherë pasi la partinë që kishte themeluar vetë 7 muaj më parë dhe që u ngrit si një lëvizje proteste kundër kastës politike në përgjithësi, por kundër Edi Ramës në veçanti. Janë të njohura qëndrimet e Blushit, se në parlament, si në publicistikë kundër kryerilindasit.

Por, në fakt Blushi po hyn në këtë TV me këmbën e djathtë pasi më parë presidentja e tij, Vjollca Hoxha e kishte spastruar rrugën nga të gjithë ata që ajo i  ka quajtur si emisarë të Edi Ramës brenda ekranit të saj. Vetë Vjollca Hoxha ka pranuar në rrethe të ngushta se për një kohë të gjatë qeveria e kishte kapur ekranin e saj dhe politikat editoriale vendoseshin më parë në zyrën e shtypit të kryeministrit. Ndërsa këta të fundit e kanë paraqitur konfliktin e sapo rindezur, Rama – Top Channel si një tentativë të bashkëshortes të Dritan Hoxhës për të marë një pjesë të tepsisë së pushtetit të fituar në 2017. “Znj Hoxha ka kërkuar ndërmarrje publike dhe leje ndërtimi në Tiranë” i  thotë një këshilltar mediatik i  Edi Ramës atyre që e pyesin për këtë konflikt. Ndërsa nga ana tjetër, një nga njerzit e afërt të Erion Velisë që shpërndan lejet e kullave në Tiranë, arsyetoi ndryshe në një reagim për Lapsi.al. “Edhe nëse është kështu, pra edhe nëse ky është një konflikt shumë larg atij që mund të jetë interesi publik, duhet pranuar se Rama është treguar i  padrejtë me Top Channel. Ai nuk mund t’i japë benefice, leje ndërtimi, rrugë në kuadër të projektit 1 miliardë euro, konkurentëve direktë të Topit dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë. Në rastin më të mirë kjo krijon një pabarazi të kamufluar ne tregun e mediave. Shikoni psh sa ka ndryshuar diferenca e shikueshmërisë mes Topit dhe Klanit që kur Edi Rama është në pushtet. Duket qartë që Klan është furnizuar me të ardhura jashtë fushës së mediave”.

Por kushdo qoftë nga arsyet, parimore ose jo, duket se Top Chanel po barikadohet përditë e më shumë kundër qeverisë. Dhe marrja e frenave nga Blushi është simboli i  qartë për këtë.

Por jo i  vetmi.

Më parë në drejtimin e lajmeve Sokol Balla u zëvendësua nga një gazetar që vinte nga një eksperiencë e gjatë një ABC, një television që përpara sesa Frangaj t’ia bënte dhuratë Ramës ishte pozicionuar fort kundër qeverisë.

Po ashtu edhe zëvendësimi i  Top Story nga “Të Paekspozuarit” një emission që Ylli Rakipi e solli në Top pas një kryqëzate të gjstëë kritikash me aferat e rilindeje që e zhvilloi në Nevs 24, është në të njëjtën frymë.

Pra nganjëherë mjafton të lexosh emrat për të kuptuar politikat. Dhe përtej konfliktit që mund të ketë pronarja e Topit me kryeministrin, rruga e televizionit më të madhe në vend tani mund të dekriptohet nga figurat që do të luajnë këtej e tutje një rrol kyç në politikën editorial të Top Channel.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne