Shqiperia

Ndryshimi i Kushtetutës, Kim e Soreca takim me Ramën, SHBA: Të gjitha palët të marrin pjesë!

Tre ditë përpara se Kuvendi të votojë ndryshimet Kushtetuese për të hapur listat dhe për të ndaluar koalicionet, lëvizjet politike janë bërë intensive.

Dy diplomatët më të përfshirë, Yuri Kim e Ambasadës Amerikane dhe Luigi Soreca nga Bashkimi Evropian, janë takuar për rreth një orë në Kryeministri me Edi Ramën.

Ambasada amerikane tha për këtë takim, se:

“Kim e falenderoi kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masat shtesë.

Siç kemi thënë publikisht, Ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjese në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.”

Nga ana tjetër, nga zyra e ambasadorit Soreca, për Abc News konfirmohet se:

“Ambasadori u takua me Kryeministrin së bashku me Ambasadoren Kim për një orë këtë mëngjes. Ai falenderoi Kryeministrin për angazhimin e tij në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe e ftoi atë që të punojë me shpejtësi për zbatimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai mirëpriti vazhdimin e diskutimeve në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet shtesë, për të respektuar frymën dhe rezultatet e 5 qershorit.

Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për çështjet elektorale.”

Të gjitha palët kanë ardhur tani në një pikë të përbashkët, duke mbështetur hapjen e listave.

Thelbi i konfliktit tashmë janë koalicionet parazgjedhore. PS do që ato të ndalohen, ose të gjitha partitë opozitare të garojnë me një listë të përbashkët, ndërsa PD dhe LSI kërkojnë që të ruhen koalicionet siç janë sot./tpz

OPINIONE

INTERVISTA