Bota

Në 12 shkurt, Zvicra ndali shtrirjen e 5G, prej shqetësimeve mbi shëndetin. Ja çfarë shkruante FT

Nga Sam Jones

Zyrih, 12 shkurt

Financial Times

Zvicra, një nga liderët në botë në përdorimin e teknologjisë celulare 5G, ka vendosur një moratorium të pacaktuar në përdorimin e rrjetit të tij të ri, për shkak të shqetësimeve shëndetësore.

Ky veprim vjen ndërsa vendet e tjera në Evropë, janë në garë për të përmirësuar rrjetet e tyre me standardet 5G në mes të një fushate diplomatike të nisur nga SHBA, për t’i ndaluar ato që të përdorin teknologjinë kineze të ofruar nga Huawei. Uashingtoni thotë se kompania, e cila kyçe për planet e përditësimit të shumicës së rrjeteve evropiane, paraqet një rrezik të madh sigurie.

Zvicra është relativisht e përparuar në Evropë, në adoptimin e teknologjisë 5G. Vendi i pasur alpin ka ndërtuar më shumë se 2,000 antena për të përmirësuar rrjetin e tij, vetëm vitin e kaluar, dhe kompanitë e telekomunikacionit u kanë premtuar klientëve mbulimin e menjëhershëm me 5G përgjatë gjithë vitit të kaluar.

Sidoqoftë, një letër e dërguar nga agjensia zvicerane e mjedisit, Bafu, drejtuar qeverive të kantoneve të vendit në fund të janarit, praktikisht. Ka ndalur përdorimin e të gjitha kullave të reja 5G, bënë të ditur për Financial Times zyrtarë që e kanë parë letrën.

Agjensia është përgjegjëse për sigurimin e kantoneve me kritere të sigurisë, kundrejt të cilave mund të gjykohen emetimet e rrezatimeve të operatorëve të telekomunikacionit. Nën strukturën shumë të federalizuar të Zvicrës, infrastruktura e telekomunikacionit monitorohet për pajtueshmëri dhe licencohet nga autoritetet kantonale, por Berna është përgjegjëse për përcaktimin e kuadrit.

Bafu ka thënë se nuk mund të ofrojë ende kritere universale pa testuar më tej ndikimin e rrezatimit 5G.

Agjensia tha që nuk ishte në dijeni të ndonjë standardi në të gjithë botën që mund të përdoret për të krahasuar rekomandimet. “Prandaj Bafu do të shqyrtojë ekspozimin përmes antenave adaptive [5G] në thellësi, nëse është e mundur në kushte të botës reale. Kjo punë do të kërkojë ca kohë”, tha ajo.

Pa kriteret, kantonet kanë mbetur me pak mundësi, përveç se të licencojnë infrastrukturën 5G sipas udhëzimeve ekzistuese për ekspozimin ndaj rrezatimit, të cilat parandalojnë përdorimin e 5G, përveç se në një pakicë të vogël rastesh.

Disa kantone kanë vendosur tashmë moratoriumet e tyre, për shkak të pasigurisë në lidhje me rreziqet shëndetësore.

Swisscom tha se procesi i vlerësimit të Bafu nuk do të ndalonte punën e tyre të vazhdueshme për ndërtimin e infrastrukturës 5G, edhe nëse kjo do të thoshte se nuk do të mund të përdorej me kapacitet të plotë. Operatori tha që ende mund të arrijë shpejtësi të mëdha për klientët deri në 2Gb / s pa përdorimin e plotë të 5G.

Ligji zviceran mbi efektet e rrezatimit nga telat e telekomunikacionit është gjerësisht në përputhje me atë të shteteve të tjera evropiane, por specifikon aplikimin e masave më të rrepta paraprake në raste të caktuara. Teknologjia e re e komunikimit 5G nënkupton që individët janë të ekspozuar ndaj rrezeve më të përqendruara të rrezatimit jo-jonizues, por për periudha më të shkurtra. Bafu duhet të përcaktojë se cilat standarde ligjore që duhet të zbatohen për këtë.

Swisscom, operatori më i madh i ttelefonisë celulare në vend, tha se e kuptonte “frikën që shprehet shpesh në lidhje me teknologjitë e reja”.

“Nuk ka asnjë provë që rrezatimi i antenës brenda vlerave limite, ndikon negativisht në shëndetin e njeriut,” shtoi kompania, duke theksuar se 5G funksionon me frekuenca të ngjashme me standardin aktual 4G, i cili i është nënshtruar ” mijëra studimeve”.

Kompania tha se kufijtë rregullatorë të Zvicrës ishin “10 herë më të rrepta se ato të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit, në vendet ku njerëzit qëndrojnë për periudha më të gjata kohore”.

Zvicra tashmë ka një lob të fortë anti-5G, me protestat e fundit kundër shtrirjes së tij që janë shtuar në Bernë, Zyrih dhe Gjenevë.

Shoqata e Mjekëve Zvicerane ka këshilluar të bëhet kujdes me 5G, duke argumentuar se nevojiten parime ligjore më të rrepta për shkak të pyetjeve pa përgjigje, në lidhje me potencialin e teknologjisë për të shkaktuar dëme në sistemin nervor, apo edhe kancere.

Pesë “nisma popullore” – propozimet për referendumet e detyrueshme me ligj për përdorimin e 5G – tashmë janë vënë në lëvizje në Zvicër. Dy janë tashmë të zyrtarizuara dhe janë në proces të mbledhjes së 100,000 firmave të nevojshme për të realizuarvotime në mbarë vendin, që nëse do të ketë sukses do të ndryshojë kushtetutën e Zvicrës.

Një do t’i bëjë kompanitë e telekomunikacionit me përgjegjësi ligjore për pretendimet e dëmtimeve trupore, të shkaktuar nga rrezatimi nga 5G, përveç nëse ato mund të dëshmojnë ndryshe. Tjetri propozon kufizime të rrepta për emetimet e rrezatimit nga muret dhe do t’u japë banorëve lokalë fuqi vetoje mbi të gjitha ndërtimet e reja në zonën e tyre. / Bota

OPINIONE

INTERVISTA