Bota

Në BE nis “beteja” për Komisionerin e Zgjerimit, Sllovenia dhe Hungaria kërkojnë vendin e Hahn

Me emërimin e Ursula Von Der Leyen në krye të Komisionit Evropian është hapur rruga edhe për emërimin e komisionerëve të rinj të Bashkimit Evropian. Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi, me interes pritet emri i personit që do të zëvendësojë austriakun Johannes Hahn në krye të Komisionit për Zgjerimin.

Sllovenia dhe Hungaria janë dy shtete pranë Ballkanit Perëndimor dhe që kanë bërë publike kandidaturat për këtë post.

Lubjana ka propozuar emrin e Janez Lenarčič, kryetar i delegacionit në BE, si kryetar të ri të këtij komisioni, ndërsa Budapesti vjen me emrin e László Trócsányi, ish-ministër Drejtësie dhe aktualisht anëtar i Parlamentit Evropian.

Por në garën që ka nisur midis dy shteteve fqinje, duket se Sllovenia është më e favorizuar dhe kjo për shumë arsye.

Qeveria e Viktor Orban është në konflikt të vazhdueshëm me institucionet e Brukselit, të cilat e akuzojnë shpesh për mungesë demokracie dhe lirie. Detyra e Komisionerit për Zgjerim fokusohet kryesisht në punën e vazhdueshme me vendet e Ballkanit që synojnë të bëhen pjesë e BE-së dhe për këtë duhet të përmbushin shumë kritere që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve, ndërkohë që Hungaria nuk konsiderohet shteti model brenda BE-së në këto aspekte.

Por nuk është vetëm kjo që e penalizon Hungarinë përballë Sllovenisë. Pas vitit 2007-të, në BE është vendosur një rregull i pashkruar që Komisioneri për Zgjerim duhet të vijë nga një shtet që nuk është fqinj me shtete kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Kjo bëhet për të shmangur avantazhet në raste konfliktesh që shteti anëtar mund të marrë mbi shtetin kandidat. Dhe Hungaria është shtet fqinj me Serbinë, e cila ka nisur negociatat e anëtarësimit. Sa i përket Sllovenisë, ajo e ndan kufirin vetëm me shtete anëtare të BE-së.

Për këtë arsye kanë dalë nga gara shtete si Kroacia, Bullgaria, Rumania apo Greqia.

Por ndonëse ‘beteja’ është përqëndruar aktualisht midis Sllovenisë dhe Hungarisë, situata mund të ndryshojë nëse shtete të tjera shfaqin ambicie për të marrë drejtimin e Komisionit për Zgjerim. Sllovakia në Evropën Qendror apo ndonjë prej shteteve balltike konsiderohen potenciale për të hyrë në garë./Top Channel

OPINIONE

INTERVISTA