Ne, Bitraj dhe Fullani

Arbër Zaimi

U desh kohë, po më në fund ndodhi. Pas 102 vjetësh pavarësi – edhe pse me kufij të cunguar, pas 20 vjetësh pluralizëm dhe liberalizëm, 15 vjet pas çlirimit të Kosovës, 13 vjet pas marrëveshjes kornizë të Ohrit, më në fund një shqiptar arriti të nxjerrë para prej librave. E ku mund të ndodhte kjo ngjarje veçse në metropolin e shqiptarëve, aty ku takohen përfaqësues të gjithë krahinave e trojeve, të gjithë dialekteve e të folmeve, të të gjitha profesioneve e sharlatanive, të të gjitha shtresave – pra në Tiranën moderne. Aty ngjau hataja. Për herë të parë shqiptari është përpara një zhvillimi: dikush bëri hajër, bëri miliona – jo përmes rrugëve brutale e të rëndomta si gjithë pasunarët shqiptarë – po përmes librave. LIBRAVE!

Po cili qe ky intelektual unik, ky gjedh i rrallë jo vetëm për shqiptarinë, po edhe më gjerë? Një farë punonjësi i Bankës së Shqipërisë, një farë Bitraj Ardian, i cili i kish marrë librat, rrezik drejt e nga biblioteka e prindërve të moshuar që s’lexojnë dot më, apo drejt e nga stendat e bukinistëve karshi Lanës, dhe i ka vendosur në vend të tufave të parave – pasi i ka peshuar. Pazar më të mirë s’mund të kishte bërë, ka barazuar kilen e librit me kilen e lekut të prerjes së madhe.

Megjithatë, si çdo njeri i librave, as Bitraj nuk mund të shfaqte ndonjë respekt të madh apo afatgjatë për pasurinë. Pas njëfarë kohe në tango me sistemin e sigurisë adrenalina ra, Bitraj u vetëdorëzua (nevojitet të kujtojmë këtu se hajnat brutalë që popullojnë shtresat e sipërme të shoqërisë sonë, që kanë vjedhur edhe më shumë se Bitraj, kurrë nuk janë dorëzuar – sot e kësaj dite). Paret nuk kanë ngjitur në dorën e tij, përkundrazi, i ka bërë rrush e kumbulla në kumar, në mënyrën më klasike për depresionin shoqëror e kulturor që po kalon Shqipëria – nën justifikimin e tranzicionit (për askund…). Po të ishte në dorën time, thjesht në vlerësim të gjetjes që ka bërë, duke i rritur vlerën librave, do e kisha falur për vjedhjen që ekspozon perversitetin e sistemit të vlerave. Do e kisha dënuar veç për kumarin, për faktin që i çoi paratë sërish në duar të pronarëve të gambling-ut, atyre njerëzve që sistemit të vlerave i rrinë si themel, apo si shtyllë.

Ngjarja pruri në vëmendjen e mediave edhe një tjetër shfaqje të sistemit hegjemonik të vlerave – shfrenimin e familjes Fullani në lluks dhe zhgërryerjen në para si derrat në llucë (apo si Berlusconi në bungabunga). Kjo familje qëllon që qeveris Bankën e Shqipërisë, një institucion teorikisht i pavarur që në dritën e një bote gjithnjë e më të financializuar nuk është thjesht një institucion, por një pushtet. E në hit-paradën e pushteteve Banka Qendrore do të mund të rezultonte edhe më lart se sa vendi i katërt…

Familja Fullani pretendon se është e pafajshme për vjedhjen, pasi këtë jetë e ka ndërtuar përmes kursimeve të nisura që në vitet ’70 (po të ishte në dorën time, do u jepja nga 5 mln. euro shpërblim secilit, thjesht për kreativitetin dhe guximin publik për ta shfaqur atë). Dikush tjetër pretendon se Fullani ka qenë vjedhësi i vërtetë i Bankës, dhe Ardian Bitraj – i cili nuk po provon dot as bëmat e tij si kumarxhi – është thjesht një bedel që po merr përsipër një faj që s’e ka bërë me kokë të vet, në këmbim të një shpërblimi, sipas një marrëveshje sekrete mes të dyve. Por këto pretendime për mua janë interesante thjesht si spektator, fundi i fundit është punë e policisë, drejtësisë, hetuesve, prokurorisë etj. që ta zbardhin këtë çështje ashtu siç duhet, siç zbardhën psh. çështjen e Ilir Metës (që e zgjodha krejt rastësisht dhe pa dashur të bëj asnjë insinuatë, mes mijëra çështjeve të tjera që mund të merrja si shembull).

Librat e çuar në depot e Bankës për të zëvendësuar kartëmonedhat rrezik nuk janë as libra interesantë… Ata duhet të jenë libra të bibliotekës së një ekonomisti, kushedi të mbushur me statistika, me ekonometri, me shembuj empirikë nga vende të tjera, me modele idealiste që funksionojnë në letër, po jo edhe aq në realitet. Gjithsesi, unë këmbëngul që një komision i ngritur nga Galeria Kombëtare e Arteve apo nga Muzeu Kombëtar t’i marrë librat, t’i inventarizojë, e më pas t’i ekspozojë si anti-trashëgimi për brezat që vijnë. Ne të gjithë duam që të trashëgojmë dhe t’u trashëgojmë vetëm bankënota dhe patundshmëri, por është detyrë e këtyre institucioneve të shokojnë publikun e sotëm dhe të nesërm siç shokon ekzibicionisti kur hap pardesynë e vet të përhimtë në oborrin e një gjimnazi. T’u tregojnë atyre atë çka s’duan të shohin, librat që ua kemi lënë meqë s’na janë dashur vetë, meqë i kemi përdorur si këmbim për paratë që i kemi konsumuar si mos më keq, just for the fun of it.

Vetëm kur të bëhet ky “ekzibicion” do mbërrijmë të marrim vesh nëse mes librave të hajnit-intelektual Bitraj (që i bën karshillëk hajnit-xhentëllmen, Lupin-it), ndodhej dhe ndonjë libër i Karl Polanyi-t. Polanyi, reformist dhe një prej pararendësve të ekonomisë heterodokse, kritik që i ka nxjerrë bojën prej fillimit teorive neoklasike që pollën neoliberalizmin e shoqërisë Mont-Pelerin, kur fliste për komoditetet thoshte se tre prej tyre shfaqin specifika interesante. Këto komoditete, sipas Polanyit ishin puna, natyra, dhe paraja. Sipas Polanyi-t (që në Shqipëri nuk lexohet shumë, se shkollat tona janë pishtar botëror i lirisë së tregjeve), këto tre komoditete shumë rrallë i binden ligjeve të tregut, dhe vetëm në kushte tepër të rregulluara. Përndryshe trajtimi i tyre si komoditete çfarëdo, për t’u shtënë në tregje të parregulluara, për t‘u konsumuar sipas dëshirës e mundësisë, shumë shpejt tenton të presë degën ku qëndron vetë kapitalizmi.

Polanyi-n jo vetëm që s’e ka lexuar as Bitraj e as shefi i vet, familja Fullani, po rrezik s’e kanë lexuar as protestuesit që lypin dorëheqjen e këtij eksponati të një klike tepër të gjerë që ka pushtuar sferën politike në Shqipëri. Kjo sferë politike, me ose pa Fullanin, e ka komodifikuar tërësisht punën, duke bërë që shumica e shqiptarëve të punojnë mbi 8 orë, e jo rrallë 16 orë, duke bërë që papunësia të duket si fatalitet e puna si fat. Duke bërë që kushtet mizerje të punës të pushtojnë fillimisht minierat, pastaj kantierët e ndërtimit, pastaj sweatshops-at e fasonëve, pastaj qendrat tregtare dhe më në fund shkollat, spitalet dhe vetë administratën. Po ashtu është komodifikuar natyra, që prej betonizimit të gjithçkaje, gjer te mbeturinizimi i gjithandejshëm. Privatizim i tokave, shfrytëzim i mineraleve, i drurëve, i ujit, i ajrit, pa strategji, pa të ardhme – jo për punësim a për zhvillim, po thjesht për përfitim. E natyrisht, është komodifikuar paraja, për të cilën dikush derdh gjakun e me të cilën dikush fshin djersën.

Dikush shtron pyetjen, pse dolën të protestojnë për mbetjet kimike dhe s’dalin kundër Fullanit? Përgjigjja është e thjeshtë, për mbetjet kimike u protestua sepse njerëzit u trembën për mbijetesën e tyre. Kjo nuk ia ul dinjitetin asaj proteste – sepse gjithsesi duhet luftuar edhe për të mbijetuar. Ama, kundër Fullanit sot nuk protestohet masivisht, se vetë masat janë edukuar me këmbënguljen e fullanëve. Për masat lluksi jo vetëm që është i pranueshëm, por është bash ajo çka duhet synuar. Nuk duhet synuar të qenit qytetar, të qenit i ditur, të qenit i drejtë, të qenit i mirë. Këto s’vlejnë një lek. Pushteti, media, bile dhe shkolla riprodhon të njëjtin model të vlerave, që është vetë pushteti. E për sa kohë që vlerat dominuese janë këto, atëherë familja Fullani në psiken e shumëkujt zë pozicionin e jouissance-s, ku të gjithë duan të jenë (fshehurazi), por meqë s’munden, xhelozojnë (haptazi). Këta njerëz, që po të kishin mundësi do të ishin përsëritës të Fullanit, nuk mund të protestojnë politikisht. Protesta e tyre është gjithnjë anti-politike, e ngjashme me gjestin që ka bërë Bitraj, i cili mbase është ndjerë impotent dhe xheloz duke jetuar pranë lluksit të Fullanit –pa mundur kurrë që ta ketë atë.

Në mendimin tim, është e kotë të protestohet për zëvendësimin e një individi, nëse nuk ngulmohet në ndryshimin e vetë vlerave që kornizojnë sferën shoqërore, politike e publike te ne. Ky ndryshim, paradoksalisht, nuk mund të bëhet pa u infiltruar në vetë sferën politike – pa ndërtuar një organizatë, lëvizje apo subjekt politik që do të merrte përsipër edukimin e qytetarëve me një etikë politike të ndryshme nga aktualja, një subjekt që do të siguronte vazhdimësinë e protestës por edhe brumësimin e eterit të qytetarisë që ndërtohet nëpër protesta. Kuptohet kjo është e vështirë. Është më e lehtë të shpresosh te rrjetet sociale, te protestat e atypëratyshme, që mohojnë çdo lloj politike e që s’duan të kenë të bëjnë me askënd. Si në Turqi – ku vazhdon të jetë i njëjti Erdogan edhe pas Gezit, si në Egjipt ku tani është gjeneral Sisi – më mizor se Mubaraku, apo si në Brazil, Itali apo Angli… Në 2002 gjatë falimentimit shtetëror në Argjentinë protestuesit thërrisnin “Que se vayan todos”. Një parrullë tërësisht naive, antipolitike – në vend që të formësonin diçka politike që do të pengonte përsëritjen e së njëjtës situatë në më pak se 12 vjet. Nga ana tjetër, formësimi i subjekteve të reja politike – edhe pse e vetmja rrugë – s’është ndonjë recetë suksesi në vetvete, se të tillat s’ekzistojnë, siç lënë të kuptohet ca libra të tjerë, që ma ha mendja nuk do të kenë qenë pjesë e arsenalit Bitraj./ rreth

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne