Në kafe me 10 persona pa distancë e pa maskë, gjobitet dhe i hiqet patenta Lulzim Bashës! 1 mln lekë gjobë pronarit të lokalit! Shkelën rregullat e COVID-it

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është gjobitur dhe i është hequr patenta për 3 vite për shkelje të rregullave të COVID-19. Bëhet fjalë për takimin që pati me disa tregtarë e qytetarë në një kafe, e cila jo vetëm që duhet të ishte mbyllur këtë periudhë, por mbi të gjitha duke qëndruar grumbull një numër të madh personash në një tavoline, pa distancë e pa maska dhe doreza.

Kryedemokrati është ndëshkuar si organizator i këtij takimi, e ndërsa mësohet se është identifikuar dhe gjobitur nga policia e Durrësit me 1 mln lekë gjobë pronari i këtij lokali. E njëjta masë disiplinore, pra gjobë dhe heqje patente, është vendosur nga policia e qytetit bregdetar edhe për 10 personat e tjerë të pranishëm në tavolinë me Bashën, mes tyre Ferdinand Xhaferri kryetari i PD-së dega Durrës dhe nënkryetari Arlind Boshku .

Lidhur me këtë ka pasur një njoftim zyrtar edhe nga ana e uniformave blu. “Policia e Durrësit ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbyllur të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ.  Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H.  Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, Lulzim Basha, Ferdinand Xhaferri, Arlind Boshku, A. M.,  R. G V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H”, njofton policia.

Pas mbledhjes që ka pasur me aleatët, opozita ka zbritur në terren në takim me qytetarët edhe pse kjo gjë është e ndaluar për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Më herët është vendosur në hetim, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji pas takimit që pati me fermerët në Divjakë . Në rast të përsëritjes së kësaj vepre penale, Basha dhe Salianji rrezikojnë burg.

Ndëshkimi i Bashës është komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se është gjëja e duhur për aq kohë ka shkelur rregullat. “Qeveria përcakton vendime, por nëse janë gjobitur është bërë gjëja e duhur kur shkeljet konstatohen. Më vjen keq për ata që u morën për figurantë”, tha Rama te ‘Opinion’.

/Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne