Në mbarë Turqinë organizohen protesta kundër planit të Trumpit për Lindjen e Mesme

Në organizim të organizatave të shumta joqeveritare dhe partive politike, në shumicën e qyteteve të Turqisë sot u organizuan protesta kundër të ashtuquajturit plan i paqes për Lindjen e Mesme i cili në fillim të javës u shpalos nga presidenti amerikan Donald Trump..

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, politikanë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën nëpër qytetet e Turqisë, përfshirë Stambollin, Izmirin, Mardinin, Vanin, Eskisehirin, Diyarbakırin dhe Çorumin, me pankarta, flamuj dhe slogane në mbështetje të Palestinës dhe Kudsit.

Në Stamboll, qytetin më të madh të Turqisë, protestuesit u mblodhën pranë Xhamisë Fatih, duke hapur pankartë me mbishkrimin “Kudsi është kryeqyteti i muslimanëve”.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si “Marrëveshja e Shekullit”, SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne