Në muret e Kudsit projektohen flamujt e SHBA-ve dhe Izraelit

Autoritetet izraelite kanë projektuar në muret historike të Qytetit të Vjetër të Kudsit flamurin e SHBA-ve dhe atë të Izraelit me rastin e përvjetorit të parë të zhvendosjes së ambasadës amerikane në Kuds, raporton Anadolu Agency (AA).

Flamujt janë projektuar nga bashkia izraelite me sistem ndriçimi në pjesën kah Kudsin perëndimor.

Përveç Qytetit të Vjetër, brenda të cilit gjendet edhe faltorja e shenjtë Mesxhid al-Aksa, flamujt në mënyrë të ngjashme janë projektuar edhe në shumë vende të tjera simbolike.

Kryeministria izraelite njoftoi se me rastin e njëvjetorit të zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds, bashkia izraelite e Kudsit ka organizuar një ceremoni festive.

Duke folur në ceremoni, kryetari i bashkisë së Kudsit, Moshe Lion, ka thënë se SHBA është vendi i parë që ka zhvendosur ambasadën në Kuds, që e ka përshkruar si “vendi i vetëm i përshtatshëm për ambasadorët” dhe “kryeqyteti i përhershëm” i Izraelit.

“President Donald Trump the ambasador David Friedman, ju jeni miq të vërtetë”, ka thënë Lion.

Pushtimi gjysmëshekullor i Kudsit

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor më 5 qershor të vitit 1967, ndërsa në vitin 1980 e shpalli në mënyrë të njëanshme pjesën perëndimore dhe lindore të qytetit si “kryeqytet i bashkuar”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) përmes Rezolutën 478 të miratuar në vitin 1980 anuloi vendimin e Izraelit për aneksimin dhe shpalljen e Kudsit si kryeqytet.

Në kuadër të rezolutës së KS-OKB-së, bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë SHBA-të, pranon se Kudsi Lindor është nën pushtim.

Ambasadat e të gjitha vendeve që njohin qeverinë izraelite janë të vendosura në Tel Aviv. Asnjë vend nuk pranon Kudsin apo pjesën lindore dhe perëndimore të tij si kryeqytet të Izraelit.

Me vendimin e presidentit Trump më 6 dhjetor të vitit 2017, SHBA u bë vendi i parë që e njohu Kudsin si “kryeqytet i Izraelit”.

Më 14 maj të vitit të kaluar, me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Izraelit, SHBA zyrtarisht zhvendosi ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds.

Qeveria Trump, e cila shkaktoi reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, injoroi paralajmërimet se rajoni do të zvarritet në kaos dhe se konflikti izraelito-arab do të bëhet edhe më i pazgjidhshëm./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne