Në perceptimin global kërcënimi amerikan është më i madh nga i Kinës dhe Rusisë

Në perceptimin global kërcënimi amerikan është më i madh nga i Kinës dhe Rusisë. Një numër më i madh njerëzish në shkallë globale po i tremben kërcënimit të Shteteve të Bashkuara se sa Kinës dhe Rusisë.

Këto janë përfundimet e një ankete të zhvilluar në pranverën dhe verën e 2016-ës nga organizata Pew Research mbi Pikëpamjet Globale. Analiza e përgjigjeve çon në përfundimin se 45% e mbi 27 mijë pjesëmarrësve në anketim në 26 vende e shohin forcën dhe influencën amerikane si kërcënim, krahasuar me 37% e të anketuarve që shohin kërcënim tek forca dhe influenca e Rusisë dhe 35% që tremben nga Kina.

Në listën e vendeve ku frika nga forca dhe influenca e Amerikës është më e madhe kryesojnë dy aleatë të SHBA në Azi: Koreja e Jugut dhe Japonia.

Në Korenë e Jugut, 67% e të anketuarve e rendisin Amerikën si kërcënim. Në Japoni kjo shifër arrin në 66%.

Meksika renditet e treta, me 64% të të anketuarve që shprehen të shqetësuar dhe që e konsiderojnë forcën dhe influencën amerikane një kërcënim madhor. Anketa të mëparshme të organizatës Pew tregonin se opinioni i meksikanëve për SHBA pësoi rënie drastike pas zgjedhjes së zotit Donald Trump si president në 2016.

Të dhënat e botuara nga organizata Pew në tetor 2018 tregojnë se vetëm 6% e meksikanëve shprehin besim tek udhëheqja e Presidentit Trump, kryesisht pasi ka një rezistencë të fortë ndaj politikave të administratës aktuale amerikane për të ndërtuar një mur në kufi me Meksikën.

Në katër vende të tjera — Tunizi, Argjentinë, Brazil dhe Indonezi — më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në anketim e shohin forcën dhe influencën amerkane si kërcënim.

Rreth 49% e të anketuarve në Francë dhe Gjermani e shohin Amerikën si kërcënim.

Anketuesit e organizatës Pew e cilësojnë rritjen e numrit të atyre që e shohin me frikë e shqetësim Amerikën si ndryshimin më të madh të regjistruar nga kjo anketë mbi opinionin global mbi të gjitha kërcënimet.

Në 2013, rreth 25% e të anketuarve nga 22 vende e konsideronin forcën dhe influencën e Amerikës si kërcënim. Por në vitin 2017, pas zgjedhjes së zotit Trump si president, kjo shifër kishte arritur në 38%.

Politikat e sigurisë nën Presidentin Trump janë mbështetur mbi atë që zyrtarët e kanë cilësuar si një epokë e re e konkurrencës mes fuqive të mëdha.

Që në ditën e parë të marrjes së përgjegjësive, Sekretari i Mbrojtjes në Detyrë, Pat Shanahan tha se shqetësimi i tij kryesor ishte “Kina, Kina, Kina”.

Por bazuar në rezultatet e anketës, shumë njerëz në botë nuk kanë të njëjtën pikëpamje.

Polonia ishte e vetmja ndër vendet e anketuara ku më shumë se gjysma e pjesëmarrësve shihnin influencën dhe forcën e Rusisë si një kërcënim.

Të anketuarit duket se ishin më të shqetësuar për Kinën, megjithëse vetëm në katër vende Kina u veçua si kërcënim nga më shumë se 50% e të anketuarve.

Rreth 82% e të anketuarve në Korenë e Jugut e shohin influencën dhe forcën e Kinës si një kërcënim madhor, pasuar nga 69% në Japoni, 56% në Filipine dhe 51% në Australi.

Në Shtetet e Bashkuara, 50% e të anketuarve e shohin forcën dhe influencën e Rusisë si kërcënim, krahasuar me 48% e atyre që kanë të njëjtën pikëpamje për Kinën.

Në fund të muajit të kaluar, raporti vjetor i agjencive të zbulimit, i titulluar Analizë e Kërcënimeve Globale, paralajmëron se po bie influenca e Amerikës në shkallë botërore, edhe në radhët e vendeve aleate dhe se Rusia dhe Kina po përpiqen të mbushin këtë vakum.

Shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara, thotë raporti, po “përpiqen të fitojnë më shumë ​autonomi nga Uashingtoni, pasi po ndryshojnë perceptimet e tyre mbi politikat amerikane të sigurisë dhe tregtisë”.

Anketa e organizatës Pew u zhvillua me 27,612 pjesëmarrës në 26 vende nga 14 maj deri më 12 gusht 2018.

Në listën e kërcënimeve globale renditeshin ndryshimet klimatike, Shteti Islamik, sulmet kibernetike dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne