Në prag të Bajramit, sulm terrorist në veri të Sirisë, 5 të vdekur

Të paktën pesë persona humbën jetën dhe 12 u plagosën në një sulm terrorist me autobombë në prag të festës së Kurban Bajramit në rrethin Ras Al-Ayn në veri të Sirisë, i cili është nën kontrollin e opozitarëve, ndërkohë që forcat lokale të sigurisë dyshojnë se sulmi u organizua nga organizata terroriste YPG/PKK.

Shpërthimi ndodhi në fshatin Tel Halaf të rrethit Ras Al-Ayn, i cili më herët pastrua nga terroristët me operacionin “Burimi i Paqes” i ndërmarrë nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria Kombëtare Siriane (SNA).

Shpërthimi ndodhi në një kamionetë të parkuar pranë një pike kontrolli në hyrje të fshatit, duke shkaktuar pesë viktima dhe 12 civilë të plagosur, prej të cilëve tre janë në gjendje të rëndë.

Forcat lokale të sigurisë, të cilat filluan një hetim në vendngjarje, theksojnë mundësinë që sulmi të jetë kryer nga organizata terroriste YPG/PKK.

Së fundmi, më 26 korrik, tetë civilë humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën nga një sulm terrorist në një treg në Ras Al-Ayn. Në mesin e viktimave kishte edhe gra dhe fëmijë.

Ndryshe, qendra e qytetit Ras Al-Ayn u çlirua në tetor të vitit 2019 në kuadër të operacionit antiterrorist “Burimi i Paqes”, por organizata terroriste YPG/PKK shpesh kryen sulme terroriste ndaj vendbanimeve civile në Ras Al-Ayn dhe Tel Abyad nga rajonet Ayn Isa dhe Tel Tamer, të cilat vazhdon t’i mbajë të pushtuara./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne