Në Qipron turke bie një raketë S-200 e Sirisë: kishte objektiv avionët izraelitë

Në fshatin Tashkent të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), që ndodhet midis kryeqytetit Lefkosha dhe Girnes të pjesës turke të ishullit, ka ndodhur një shpërthim pas rënies së një mjeti ajror.

Pas shpërthimit zona e pabanuar u përfshi nga flakët e zjarrit.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTV), Kudret Ëzersay (Özersay) në deklaratën që bëri pasi shkoi në vendin e ngjarjes tha se nuk ka pasur humbje jetësh apo ndonjë të plagosur dhe se ekipet zjarrfikëse e kanë marrë nën kontroll zjarrin.

Në një postim që ka bërë Twitter zv.kryeministri Ëzersay shkruan se nga hetimet e deritanishme ka dalë se mbishkrimet mbi objektin që ka rënë pranë fshatit Tashkent (Taşkent) janë të ngjashme me ato mbi raketën prodhim rus të tipit S-200, që ka rënë në Gaziantep të Turqisë në korrik të vitit 2018.

“Mbishkrimet mbi raketën e tipit S-200, prodhim rus, që ka rënë në korrik të 2018-s në Gaziantep të Turqisë janë të njëjta me mbishkrimet mbi predhën që ka rënë mbrëmë në vendin tonë”, njofton Ëzersay përmes Twitter-it, ndërsa shton se në lidhje me ngjarjen ai ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneralarmate Jashar Gyler (Yaşar Güler).

Ëzersay bën të ditur se i kanë ftuar Izraelin dhe vendet e tjera të rajonit, kryesisht regjimin sirian, që të marrin masat e duhura në këtë drejtim, duke marrë në konsideratë sigurinë e jetës dhe të pasurisë në vendet fqinje si dhe u kanë bërë apel të gjithëve që të ruajnë qetësinë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe Presidenti Musta Akënxhë (Akıncı), Ambasadori i Turqisë në Lefkosha, Ali Murat Bashçeri (Başçeri) dhe Komandanti i Forcave të Sigurisë Gjeneral Brigade Tevfik Algan.

“Kjo është një nga ‘të mirat’ e luftës në rajonin tonë. Kjo është ajo çfarë mund të themi duke u nisur nga konstatimet e deritanishme”,- tha presidenti turkoqipriot.

Presidenti turk i Qipros, Mustafa Akënxhë theksoi se ata duan paqe dhe stabilitet në rajon.

Kurse Kryeministri Ersin Tatar deklaroi se raketa që kishte rënë në Qipron veriore i përkiste sistemit sirian të mbrojtjes tip S-200.

Raketa nuk ka arritur ta godasë objektivin,- u shpreh Tatar, duke shtuar raketa mund të letë lëshuar me qëllim mbrojtës ndaj sulmeve të Izraelit.

Gjithashtu kryeministri Tatar sqaroi se në vendin ku ka rënë raketa nuk është konstatuar ndonjë gaz helmues apo lëndë e rrezikshme kimike.

Ndërkaq e Dërguara Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Elizabeth Spehar, i ka telefonuar Presidentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akënxhë dhe është informuar mbi ngjarjen.

Raportohet se hetimi për zbardhjen e rastit vazhdon./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne