Në Shqipëri pritet të ndërtohet qendra e gjithë Ballkanit për luftëtarët e kthyer nga ISIS

Vizita e kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borissov, pak ditë më parë në Tiranë, nuk do të kishte ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme nëse vendi i tij nuk do të mbante deri në fund të Qershorit Presidencën e radhës së BE-së. Gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij Edi Rama, mesazhi i tij kryesor ishte se ka ende 2-3 vende që janë skeptike ndaj Shqipërisë dhe se deri në fund të muajit qershor kur të merret vendimi për hapjen e negociatave, duhet punuar me to.

Por teksa dha këtë mesazh dhe të gjitha mediat u morën me negociatat, kaloi pa u vënë shumë re një tjetër deklaratë e fortë e Borissov, raporton Panorama. “Në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”, u shpreh Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur dje bashkë me Kryeministrin Rama.

Borissov, gjatë konferencës, foli pas kryeministrit Rama dhe të dy pas fjalimeve të rastit, nuk morën pyetje nga gazetarët. Në këtë mënyrë, Rama nuk e sqaroi më tej deklaratën e homologut bullgar, nëse ky është vetëm një variant që po diskutohet apo është vendosur tashmë. Shqipëria ka edhe një tjetër rast kur vendosi të strehojë muxhahedinët iranianë të përndjekur nga Teherani. Ndërkohë që për rastin e armëve kimike, qeveria u detyrua të tërhiqej nga miratimi që kishte dhënë, pas protestave të mëdha në Tiranë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne