Në Shqipëri vazhdon tradita e bukur e shtrimit të iftareve dhe ndihmave nga institucionet turke

Shoqata “Istanbul” që operon në Shqipëri prej vitesh me aktivitetet e saja arsimore, kulturore dhe humanitare mirëpriti para pak ditëve në sofrën tradicionale të iftarit në qytetin e Shkodrës përfaqësues të institucioneve të pushtetit vendor dhe atij qendror, drejtues të komuniteteve fetare, deputetë të kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të subjekteve politike dhe përfaqësive diplomatike, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, mësues, pedagogë, profesorë, mjekë, juristë të karrierës, njerëz të shquar të kulturës, artit, sportit dhe medias, njerëz të biznesit e të tjerë me kontribut për qytetin e Shkodrës dhe me gjerë, plot miq e të ftuar të cilët morën pjesë në këtë iftar të veçantë.

Në fjalën e tij hapëse, kryetari i shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj foli për rëndësinë e aktiviteteve të tilla, të cilat jo vetëm që afrojnë njerëzit me njëri-tjetrin, por është edhe një shans i artë për të treguar vlerat e vërteta të shoqërisë dhe tolerancën dhe harmoninë fetare që e karakterizon Shqipërinë, në mënyrë të veçantë Shkodrën.

“…Shoqata Istanbul që prej 16 vitesh në muajin e madhërueshëm të Ramazanit shtron sofrën tradicionale të iftarit.

Për 30 ditë gjatë gjithë muajit të Ramazanit kjo sofër mirëpret dhe zbukurohet me mysafirët e saj të përhershëm, por sidomos me mysafirët e saj të veçantë: jetimët, te varfrit, individë dhe grupe të ndryshme shoqërore të cilët ia shtojnë edhe më tepër begatinë kësaj sofre dhe këtij vendi.

Ramazani është muaji i agjërimit, institucionit i cili kultivon tek njeriu qetësinë, maturinë, besnikërinë, edukatën e komunikimit në familje e shoqëri, durimin, gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët, e plot virtyte të tjera të cilat i duhen shoqërisë sonë. Është muaji, i cili nxitë dhe rrezaton solidaritet, unitet, vëllazërim dhe barazi. Edhe bashkimi ynë në këtë vend, në këtë kohë dhe në këtë muaj merr kuptim dhe një vlerë të veçantë.

Sot, jemi sërish bashkë në këtë sofër modeste, por shumë domethënëse , që na dhuron përherë mirësi dhe begati të shumta.

Sot, jemi shumë krenare për arritjet tona dhe për frytet e bashkëpunimit me secilin prej jush dhe institucionet që ju përfaqësoni…”.

Më pas aktivitetin e përshëndetën imam Muhamed Sytari, myfti i zonës Shkodër,  Voltana Ademi, kryetare e bashkisë Shkodër, Çesk Millja, prefekt i qarkut Shkodër si dhe zv. ambasadori i Republikës së Turqisë, Sinan Cem Bash.

M. Sytari: – “…Falënderoj përzemërsisht valluan e dashur, z. Ridvan Seferaj për përshëndetjen e tij dhe këtë organizim të mrekullueshëm në këtë muaj të madhërueshëm të Ramazanit.  Kjo mbrëmje na ka mbledhur të gjithë si një familje e madhe që jemi të ftuar për të kontribuar për vendin dhe për qytetin tonë, si dhe për vlerat ma të mira të besimit, të harmonisë e të bashkëpunimit me njeri-tjetrin….”.

V. Ademi: – “…Muaji i Ramazanit është i rëndësishëm jo vetëm për besimin, por edhe për kultivimin e tij, për bashkimin dhe bashkëndarjen  me njëri-tjetrin, si: diskutimin, durimin, paqen, bonësensin, pozitivitetin, shtrirjen e dorës për atë që ka më shumë nevojë, etj…”.

C. Millaj: – “…Më lejoni të uroj të gjithë myslimanët: Agjërim të lehtë dhe të pranueshëm! Le të na shërbejnë të gjithëve ne këto ditë të shënuara  për të rezatuar besimin, bashkëpunimin, mirëqënien dhe  bashkëjetesën, si vlerë dhe traditë që qarku jonë i Shkodrës e ka dhe e transmeton brez pas brezi…”.

S. Bash: –“…Është një kënaqësi e veçantë që ndajmë sonte emocionet dhe që gjendemi të pranishëm në këtë sofër kaq të mrekullueshme të iftarit të sotëm. Ne si përfaqësi dhe si ambasadë e Republikës së Turqisë në Tiranë kemi gjithmonë kënaqësinë dhe nderin që të jemi vazhdimisht prezent dhe të pranishëm pranë kësaj sofre të mrekullueshme. Padyshim që muaji i madhërueshëm i Ramazanit është kulmi i ndjenjave dhe i arritjeve shpirtërore të besimtarit…”.

Sofra tradicionale e iftarit organizohet prej mëse 16 vitesh nga shoqata “Istanbul” në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Shoqata “Istanbul” vijon rregullisht shtrimin çdo natë të sofrës tradicionale të iftarit në mjediset e medresesë së vajzave “Haxhi Sheh Shamia”.

-Bashkia e Stambolit “Bajram Pasha” shtron iftar në kryeqytetin shqiptar, Tiranë

“Autokolona e Bereqetit” është ndalur  në Tiranë, duke u organizuar iftar për 1500  persona.

E organizuar nën kujdesin e Bashkisë “Bajram Pasha” të Stambollit, me moton “Vëllazëria nuk njeh kufi”, në programin e iftarit në kuadër të “Autokolonës së Bereqetit”, merrnin pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, zyrtarë vendas, etj.

Ambasadori  turk gjatë fjalës së tij, falënderoi organizatorët e bashkisë së “BajramPashasë”, ku ndër të tjerë vuri theksin dhe tek marrëdhëniet shqiptaro-turke.

Ju përshëndes më ndjenjat më të mira shpirtërore përzemërsisht. Dëshiroj të falënderoj dhe bashkinë  Bajram Pasha për këtë organizim madhështor ngjitur me xhaminë më të madhe në Ballkan. Edhe pse jemi larg vëllezërit shqiptarë i shohim si vëllezërit tanë. Siç e dini dhe ju Ramazan do të thotë të ndihmosh të tjerët. Për këtë arsye jemi për të shpërndarë sofrën shpirtërore tek secili. Ne si republikë kemi qenë më gjithë institucionet turke, duke filluar nga TIKA pranë jush”, tha Yoruk.

Gjithashtu, përshëndeti zv.kryetari i bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili gjithashtu falënderoi organizatorët për mundësimin e një iftari të tillë. “Falënderimi im shkon për organizatorët për mundësimin e këtij iftari. Ne së bashku me ambasadën dhe institucionet e tjera kemi shpërndarë ditët e fundit ndihma për familje në nevojë…”,tha Hado.

Për pjesëmarrësit në iftarin e madh u organizua edhe një program artistik me muzikë dhe këngë të larmishme turke.

’’’

-Shoqata humanitare turke “RIDA” në ndihmë të besimtarëve shqiptarë

Shoqata humanitare turke “RIDA” me qendër në Konia të Turqisë, përveç shtrirjes së saj në vende të ndryshme të botës me misione humanizmi dhe përhapjes së kulturës dhe arsimit fetar ka disa vite që ushtron aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, duke zhvilluar një sërë veprimtarish si:  ndihma materiale për fëmijët jetimë e nevojtarë, pa dallim feje e krahine, shpërndarje mish kurbani, organizime të kurseve të mësim-besimit në bashkëpunim me myftininë e qytetit përkatës, shpërndarje të pakove me ushqime gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit, siç ishte ceremonia e shpërndarjes së 150 pakove me ndihma ushqimore pak ditë para fillimit të Ramazanit për familjet në nevojë,  e shumë aktivitete të tjera humanitare dhe edukative.

-Për të na treguar përmbledhurazi rreth aktivitetit të kësaj shoqate humanitare turke, intervistuam për Radion “Zëri i Turqisë”, përfaqësuesin e saj për Shqipërinë, z. Jetmir Braqi, i cili tha:

“…Kjo shoqatë si pikësynim kryesor të saj ka edukimin dhe ndihmesën e jetimëve në vende të ndryshme të botës. Ajo kërkon të manifestojë dhe të zgjojeë ndërgjegjen e besimtarëve  për të bërë vepra të mira. Aktualisht, në të gjitha vendet ku shtrihet aktiviteti i kësaj shoqate, ka 23 mijë jetimë, e cila kujdeset për ushqimin, veshmbathjen dhe strehimin e tyre. Kohët e fundit, për jetimët në Afrikë ka çelur disa qendra të mëdha për mësimin e profesioneve të ndryshme, në mënyrë që të integrohen në jetë.

Duke pasur parasysh se kjo shoqatë ka  një shtrirje në rreth 18 vende të ndryshme të botës si: Afrikë, Azi  dhe në disa vende të Ballkanit si: Shqipëri, Kosovë , Mali i Zi, Sanxhak dhe Bosnje tregon për forcën, angazhimin serioz dhe shumë të konsoliduar të  bashkëpunëtorëve, të cilët  bëjnë të mundur mbarëvajtjen e veprimtarisë së kësaj shoqate.

Gjithashtu shoqata “RIDA” përpiqet vazhdimisht të kryej objektivat e saj si:

-Hapjen e kurseve fetare për të bërë të mundur përhapjen e frymës paqësore islame.

-Organizimi vazhdimisht i iftareve, shpërndarjen e ndihmave ushqimore për dhjetra dhe mijëra vetë si dhe organizime të synetive për njerëzit në nevojë.

– Bën të mundur botimin e broshurave të ndryshme me tematika fetare, në mënyrë që t’i shërbejësamë mirë procesit mësimor – edukativ.

-Organizimin e ekskursioneve dhe konkurseve të ndryshme me nxënësit e kurseve.

-Organizimin e programeve të mevludeve dhe ligjëratave fetare.

-Projekte të ndryshme për përkujdesjen e fëmijëve jetimë.

-Projekte për prerjen dhe shpërndarjen e mishit tëkurbanit, etj

Gjithashtu është e rëndësishme të përmendet bashkëpunimi me myftininë e Shkodrës për mbarëvajtjen e disa aktiviteteve arsimore, të cilat shihet qartë që kohët e fundit po japin maksimumin e punës së tyre…”.

-Në fund, përfaqësuesi i shoqatës humanitare turke “RIDA” për Shqipërinë, z. Jetmir Braqishprehu falënderime dhe mirënjohje për ndihmën e madhe nga populli dhe vëllezërit turq, por një falënderim të veçantë bëri edhe për programin e Radio “Zëri i Turqisë”, TRT në Shqip.

“…Është shumë e rëndësishme të falënderojmë dhe të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për sponsorizuesit dhe promotorët e këtyre veprave humane nga vëllezërit  tanë turq, të cilët më së miri e kanë treguar veten se janë një popull me zemër të madhe dhe punojnë me shpirt për ta mbajtur të gjalla amanetin e të parëve që në shekuj kanë qenë shembull i bujarisë dhe humanizmit.

Një falënderim i veçantë dhe i përzemërt shkon edhe për Radion e TRT-së në gjuhën shqipe, “Zëri i Turqisë”, e cila na mundëson përmes valëve të saj prezantimin e disa prej aktiviteteve të shoqatës “RIDA”, me kryetar z.Tamer Kalender, të cilin gjej rastin t’i përcjell selamet dhe falënderime të sinqerta për punën e tij të palodhur…”.

’’’

-Ekspozitë kaligrafie me “Thënie të Yunus Emre”

Në institutin turk “Yunus Emre” Shkodër , u realizua hapja e ekspozitës së kaligrafisë me thënie që pasqyrojnë mendimin dhe filozofinë e Yunus Emres.

Në programin e hapjes së ekspozitës, gjatë fjalës së tij, drejtori i institutit turk“Yunus Emre”, Zafer Kiyici shprehu kënaqësinë që ndjen ndaj mundësimit të takimit të mendimit dhe filozofisë së Yunus Emres me artdashësit shkodranë.

Më pas, u ndoq  fjalimi i autorit të kësaj ekspozite, Bekim Ndrukaj. Ai shpjegoi punimin e realizuar si bashkëveprim i teknikës së kaligrafisë mbi sfonde ebruje.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij shprehu falënderime ndaj drejtorit të institutit, i cili mundësoi ekspozimin e veprave të tij.

Në vijim nxënësit e institutit  turk, Omer Fuçia dhe Blerta Mlloja interpretuan disa prej thënieve të çmuara të Yunus Emre në gjuhën turke dhe shqipe.

Ekspozita e realizuar me pjesëmarrje të dendur të pedagogëve të universitetit të Shkodrës, rrethit intelektual shkodran, artdashësve të qytetit dhe drejtuesve të mediave do të mund të vizitohet për disa ditë.

Për të ftuarit u shtrua edhe një iftar miqësor./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne