Në sulmet armene humbën jetën dhjetëra civilë azerbajxhanas

Si pasojë e sulmeve të Armenisë ndaj vendbanimeve civile të Azerbajxhanit me artileri dhe raketa deri më sot kanë humbur jetën 43 civilë, ndërsa 218 të tjerë janë plagosur.

Kryeprokuroria e Azerbajxhanit njoftoi humbjet e jetës dhe mallrave për shkak të sulmeve armene gjatë periudhës 27 shtator dhe 15 tetor.

Në periudhën në fjalë humbën jetën 43 azerbajxhanas civilë, si dhe u plagosën 218 të tjerë.

Gjithashtu në sulmet e Armenisë u bënë të papërdorshme 1.592 shtëpi, 79 apartamente dhe 290 ndërtesa publike.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike janë tensionuar që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase.

Ndërkaq, një armëpushim humanitar ishte shpallur më 10 tetor për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave të të vdekurve në Malësinë e Karabakut, pas bisedimeve të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Moskë.

Ushtria armene, pa kaluar as 24 orë nga armëpushimi kishte sulmuar qytetin Ganja të Azerbajxhanit duke shkaktuar vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e 35 të tjerëve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne