Në Vdekjen e Republikës së Tretë

Dita e 18 dhjetorit 2017 do të mund të kujtohet në librat e historisë shqiptare si dita në të cilën Edi Rama më në fund ja doli, deklaroi të vdekur Republikën e çalë kushtetuese të periudhës së tranzicionit post komunist dhe u shpall nga parlamenti shef i padiskutueshëm i Shqipërisë.

Pas Principatës së paqendrueshme të Vidit, Republikës të paqendrueshme të Fan Nolit dhe Ahmet Zogut, mbretërisë kukull të të vetëshpallurit Mbreti Zog, mbretërisë së importuar të Vittorio Emanuelit III, Republikës autoktone Popullore Socialiste të Enver Hoxhës, mbaroi edhe republika kushtetuese dhe demokratike e Tranzicionit, e treta në rend pasues, e dyta për nga jetëgjatësia pas Republikës Popullore Socialiste, dhe një lloji i ri shteti dhe qeverie pritet të sundojë këtë vend të trishtë.

Titutullin e saktë me të cilin i pakundërshtueshmi Edi Rama do të mbretërojë mbi fatet e vendit do ta thotë historia, por më i mundshmi është ai i “Sulltanit Estetik, Mbret i Palmave, Zoti i Gënjeshtrave, Zhgënjyes i Madh i Besimtarëve” ose dhe me atë me të thjeshtin “Zot i Vetvetes, Kalifi i Surrelit, Papa i Ballkanit, Patriarku i Madh i Ilirisë”.

Mënyra me të cilën do të mbretërojë mbi vendin do të jetë e qartë që sot, instalacione në vend të infrastrukturës, propagandë në vend të vendeve të punës, dekrete në vend të ligjeve, platforma informatike në vend të ministrive, lolo në vend të këshilltarëve, ekspozita me piktura në vend të diplomacisë, koncerte në vend të kuvendit, drogë në vend të bukës.

Garda e tij do të jenë valkiriet e gatshme për sakrificë, si ato të Gadafit, por nuk do të ketë ushtri dhe as polici, sepse për herë të parë në botë, mbretëria e tij nuk do të ketë qytetarë dhe as subjektë të nënshtruara, kështu që nuk nevojitet polici për të ruajtur rendin. Të gjitha gratë e vendit do të kenë titullin e Ministrit, ndërsa burrat do të jenë yë gjithë në emigracion, ose nëpër kafe.

Vendin e tyre do ta zënë një turli artistësh të dështuar, ish-kryeministrash luftarakë dhe ndonjë miliarder i nxehur.

Diçka e ngjashme ka ndodhur më 1 shtator 1928 me vetëshpalljen Mbret të Ahmet Zogut, deri në atë moment President i Republikës. Edhe atëherë historia përfundoi me xhuxha dhe balerina, oborrtarë dhe financime të huaja të pakthyera kurrë, palaço oborri dhe demagogji të ulët, për të kulmuar me ndërhyrjen e italinëve në 7 prill 1939 (në të vërtet një operacion i madh për të rimarrë kreditë ndërkombëtare), me Zogun në arrati me atë që mbetej në shtëpi, dhe Mujo Ulqinaku si i marrë që gjuante kundër të ardhmes së vetme të mundshme.

Por atëherë gati e gjithë Evropa marshonte nën komandën e diktatorëve përkatës, dhe një malësor i vetëshpallur mbret nuk turpëronte më askënd, përkundrazi Italisë fashiste i shkonte për shtat, të blije vetëm një kushtonte më pak se t’i bindje të gjithë. Dhe i erdhi për mbarë të investonte një det me para (në vetëm katër vjet investoi sa prodhimi i Shqipërisë i dhjetë viteve të sotme) dhe vuri rregull dhe ligje për përfitimet e veta perandorake.

Shumë fjalë, Luftë Greqisë, Shqipëria e Madhe, Mbrojtës i Kristianizmit, më pas përfunduam të gjithë si mos më keq; shqiptarëve iu ra për pjesë komunizmi dhe miti i Mujo Ulqinakut, italianëve, si gjithmonë më me fat, u ra për pjesë Demokracia-Kristiane dhe miti amerikan.

Ndërsa sot Italia nuk ka më asnjë qindarkë, dhe të paktën nuk ka më as ëndrra perandorake, dhe ashtu e dobët siç është zgjedh të flejë e mërzitur dhe të korruptohet brenda shtëpisë së saj.

Duhet që dikush ta lajmërojë Sulltanin: pa Fashizmin në Itali, nuk mundet t’ja dalë dot.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne