Në xhamitë e Kosovës ligjërohet për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava, në hutbenë e xhumasë në të gjitha xhamitë e Kosovës do të ligjërohet në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga BIK-u, myftiu Tërnava ka kërkuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të mos paragjykohen. Ai tha se “me këtë kategori nuk janë marrë mjaftueshëm shteti, rrethi e familja. Bazuar në parimet islame, dhuna seksuale është e ndaluar, me kodin e luftës si dhe me normat e të drejtat ndërkombëtare”.

“Këto veprime të kryera nga forcat ushtarake serbe ndaj civilëve të pambrojtur, nuk ka dyshim se janë vepra të dënueshme, të shëmtuara, të urryera e të gjykuara nga Zoti, nga të dërguarit e Tij, nga njerëzit fisnikë e të edukuar, si dhe nga shoqëritë demokratike. Prandaj si të tilla janë dhe duhet të kategorizohen në kuadër të krimeve të luftës. Konsideroj se roli i bashkësive fetare për shkak të natyrës së plagës është primar dhe i domosdoshëm, askush sikur feja nuk mund të trajtojë plagën në bazë morale”, tha Tërnava.

Ditë më parë BIK-u organizoi konferencë për këtë temë, ku morën pjesë udhëheqës të institucioneve vendore e ndërkombëtare./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne