Negociatat, Athina vë kusht Fredi Belerin: Të garantohet respektimi i pakicës greke

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme greke, thuhet se mes dy vendeve po bashkëpunohet për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe. Lidhur me respektimin e minoritetit grek, Athina zyrtare kërkon më shumë garanci, sikurse thotë, “është një nga 5 prioritetet kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

“Greqia është duke punuar për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe mbështet procedurën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në kushtet që janë zbatuar për të gjitha vendet e anëtarësuara, duke përmbushur të gjitha kërkesat. Siç është bërë e qartë në raportin e Komisionit Europian, respektimi i të drejtave të minoritetit grek është i lidhur drejtpërdrejt me perspektivën europiane të Shqipërisë dhe është pjesë integrale e pesë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të vendit për anëtarësim në BE, përmbushja e të cilave do të trajtohet nga Këshilli i Europës. Në këtë kontekst, ne presim garanci për të drejtat e minoritetit në të gjithë Shqipërinë, një masë që Shqipëria kishte ndërmarrë për ta miratuar deri në Maj 2018, dhe zbatimin e ligjit të pronësisë për anëtarët e minoritetit”,- thuhet në deklaratë.

Athina zyrtare përmend edhe refuzimin e KQZ për Fredi Bejlerin, që e ndalon të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet vendore.

“Së fundmi, po vëmë re metoda që synojnë të anulojnë kandidaturën e kreut të OMONIA-s Fredi Bejleri për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Këto veprime shkelin të drejtën e përfaqësimit politik të minoritetit grek për zgjedhjet në Himarë. I bëjmë thirrje Shqipërisë që të kthehet në rrugën e përparimit dhe jo të bëjë prapa, në mënyrë që procesi i saj i pranimit të përparojë“./kohajone

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne