Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në “sitën e hekurt” gjermane

Ndërsa Komisioni i BE-së paraqiti të martën raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku rekomandonte fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, reagimet nga Bundestagu për hapjen e negociatave me Shqipërinë janë më të rezervuara.

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, i tha Deutsche Welle-s se rekomandimi i komisionit nuk do të jetë dokumenti i vetëm që do të merret parasysh para se Bundestagu të miratojë hapjen e negociatave.

“Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk bëhen për të na bërë ne në Berlin një favor, por për të çuar përpara vendin. Ndaj unë pres në këtë drejtim luftë më të vendosur kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sigurisht nevojiten edhe reformat ekonomike kështu që ka ende shumë punë”, thotë Krichbaum.

“Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit.

Gunther Krichbaum,

Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e Bankës Botërore dhe raporte të tjera ndërkombëtare.

Ne si grup parlamentar i CDU-CSU kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato.

Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit”, theksoi Krichbaum.

Komentet, parlamentari gjerman i bëri pas takimeve që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi në Berlin për të bindur politikën gjermane dhe grupimin e Partive Popullore Europiane, që të mbështesin çeljen e negociatave për Shqipërinë, pavarësisht mangësive.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne