Negociatat-Këshilli Europian vendos sot për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të mblidhen sot në Luksemburg për të diskutuar dhe vendosur për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse shumë vende kanë shprehur hapur mbështetjen për vendet, ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë Franca dhe Holanda, të cilat ditët e fundit kanë paralajmëruar dhe mund të venë veton.

Qeveria franceze mendon se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë bërë mjaftueshëm reforma dhe progres për të merituar hapjen e negociatave.

Ndërsa Holanda vlerëson punën e bërë nga Maqedonia, por ka rezerva nëse përparimi i Shqipërisë është i mjaftueshëm dhe në hapat e duhur.

Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok ka shprehur hapur dhe idenë se dy vendet mund të vlerësohen ndarasi, secili sipas meritës:

“Një hap i rëndësishëm që duhet ndërmarrë nga Maqedonia e Veriut është ligji për Prokurime Publike. Në lidhje me Shqipërinë mendojmë se ka ende shumë punë për të bërë dhe nuk është gati për hapjen e negociatave.”

Pavarësisht qëndrimit të Francës e Holandës, Zëvendësministri i Jashtëm Genc Cakaj i kërkoi sot ministrave të Jashtëm të BE-së hapjen e negociatave me të dy vendet:

“Shqipëria ka ndërmarrë reforma gjyqësore ambicioze dhe të guximshme duke u shndërruar në udhërrëfyes në rajon. Tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit.”/ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne