Negociatat/ Zbulohet drafti që kanë në tryezë kryeministrat e BE-së

Presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së në 28 dhe 29 qershor në Bruksel, do të diskutojnë për vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit. Konkluzione të përbashkëta do të miratohen në fund të takimit, por për tekstin e draftit është rënë dakord tashmë.

Drafti i konkluzioneve përfundimtare është dorëzuar në kryeqytetet evropiane dhe Lapsi.al ka arritur të sigurojë një pasqyrë të këtij dokumenti, që duhet të miratohet në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të BE.

Nyja e debatit mes presidentëve dhe kryeministrave të Europës do të lidhet me shanset e Shqipërisë dhe Maqedonisë për të marrë ose jo dritën e gjelbër, për të filluar ose jo bisedimet e pranimit me BE-në. Nga informacioni paraprak, ka një mundësi të lartë që gjatë debatit, të ketë ndërrime në paragrafët që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave për anëtarësim, nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Dokumenti nuk ka në brendësi të tij një datë fikse për hapjen e negociatave dhe fillimin e diskutimit për kapitujt e negociimit. Pavarësisht se Komisioni Europian e rekomandoi hapjen e negociatave, teksti që do të kenë në tryezë liderët e BE-së në Bruksel nuk e përmban një detaj thelbësor si ky i datës dhe kjo lidhet me pjesën tjetër të dokumentit, që janë kushtet dhe pritshmëritë e vendeve të Bashkimit Europian nga qeveria shqiptare.

Ndaj në tekst, rreshtohen disa preh hapave të mëtejshme që duhet të bëjë qeveria shqiptare. Detyrat kanë të bëjnë me vazhdimin e reformës në gjyqësor, luftën kundër drogës, korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurisht, një marrëdhënie më e mirë me opozitën.

Në tekstin që i është shpërndarë vendeve të BE, thuhet se “Këshilli Evropian do të mirëpresë një progres të qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kryesore në Shqipëri. Nga ky vend do të kërkohet të rrisë progresin dhe të vazhdojë intensivisht reformën gjyqësore, me qëllim të rritjes së pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor”

“Këshilli thekson rëndësinë e Shqipërisë për të arritur rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe në një fushë të veçantë – luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës” përfundon projekti.

Tiranës zyrtare gjithashtu do t’i kërkohet të rrisë përpjekjet dhe të tregojë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përfundimet mbi Shqipërinë do të kërkojnë “një dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv” midis qeverisë dhe opozitës në reformat e lidhura me BE, pasi ajo konsiderohet thelbësore në proceset evropiane dhe afrimin e vendit me strukturat evropiane. Shqipëria do të vlerësohet për vazhdimin e harmonizimit të plotë të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me politikën e BE. Ajo gjithashtu do të mirëpresë angazhimin e autoriteteve shqiptare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Pak ditë më parë, Maqedonia arriti të zgjidhë mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjet e emrit. Zaev ia doli që para vendimit të Këshillit Europian të shfaqet në mediat europiane duke festuar me Tsipras për gjetjen e zgjidhjes. Për Ramën, një marrëveshje me Greqinë, ishte një shans i humbur, por kryeministri shqiptar po luan fort me idenë e një kampi për refugjatët në vendin tonë, një ofertë që do të lehtësonte liderët europianë nga presioni, gjithnjë në këmbim të votës pro hapjes së negociatave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne