“Nënat dhe foshnjat refugjate marrin kujdes shëndetësor falas në Turqi”

Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan, ka deklaruar se vendi i saj ka një barrë të rëndë në një “rajon të brishtë të botës” duke strehuar mbi 4 milionë refugjatë dhe duke ofruar shërbime shëndetësore falas për nënat dhe foshnjat refugjate.

Erdoğan ishte folësja kryesore në forumin e titulluar “Koha për veprim: Qasje proaktive për të parandaluar vdekjen e nënave dhe foshnjave gjatë lindjes”, i cili u mbajt në kuadër të Forumit Global për Refugjatët në Gjenevë.

“Ne duhet të punojmë për t’u siguruar që të gjithë ndajmë një emërues të përbashkët, në mënyrë që t’i japim më të mirën botës në jetë. Vendi ynë është vendi i dytë me rënien më të shpejtë të mortalitetit të foshnjave dhe fëmijëve në 30 vitet e fundit”, deklaroi Erdoğan, duke shtuar se të dhënat përfshijnë refugjatët.

Sipas një studimi të kryer në vitin 2018, theksoi Zonja e Parë, numri i vdekjeve të foshnjave siriane në periudhën 2003-2008 ishte 42 foshnja në 1 mijë dhe në periudhën 2013-2018 ky numër ra në 22.

“Të gjitha shërbimet që ne u ofrojmë qytetarëve tanë për shëndetin e nënave dhe foshnjave, po ashtu u ofrohen edhe refugjatëve në mënyrë të barabartë dhe pa pagesë”, theksoi Erdoğan.

Erdoğan foli për përpjekjet e mëdha të bëra për jetën e mbi 100 mijë foshjave siriane që lindin çdo vit në Turqi.

Në fund të fjalës së saj, ajo uroi që “bota ta njohë paqen” sa më shpejtë të jetë e mundur dhe shprehu shpresë që ky forum tre-ditor për refugjatët të jetë një instrument për të mirë.

Në mesin e pjesëmarrësve në panel ishin edhe Princesha e Jordanisë, Sarah Zeid, ministrja e shtetit e Ugandës për Kujdes Shëndetësor, Joyce Moriku Kaducu dhe nënkryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Shpëtimit, Alyoscia D’Onofrio./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne