Nënë e bir u vranë e u dogjën/Arrestohet gruaja e viktimës e shoku i saj

Policia e Vlorës ka arrestuar autorët e vrasjes së dyfishtë në janar të këtij viti, ku nënë e bir u vranë dhe u dogjën brenda në shtëpinë e tyre. Një nga autorët e dyshuar është gruaja e viktimës Hysnie Hoxhallari, kurse autori dytë i dyshuar është një shoku i saj Kasëm Pirjasi, 26 vjeç nga Fieri. Sipas policisë të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta kanë dhunuar e më pas kanë vrarë Olsi Hoxhallarin dhe nënën e tij Salkije Hoxhallari. Fillimisht ata i kanë goditur me një tip sëpate dhe më pas për të fshehur gjurmët kanë shkaktuar zjarr në banesë. Gruaja e viktimës e cila pas ngjarjes kërkoi publikisht të gjenden autorët, pasi kishte frikë për djalin e vogël, sipas policisë ishte vënë në përgjim me medota speciale, derisa u gjendën provat që ajo bashkë me fierakun 26 vjeçar u zbuluan si autorë të ngjarjes në lagjen “24 Maji” në Vlorë.

Njoftimi i Policisë Vlorë
Konferencë për shtyp e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Gentjan Shehaj, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të vrasjes së dyfishtë, të ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji”, Vlorë

Vihen në pranga dy autorët e vrasjes, sekuestrohet edhe arma e ftohtë me të cilën dyshohet së është kryer krimi!

Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, finalizuan operacionin e koduar “Devijimi”, ku është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji” Vlorë.

Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë, duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor, të cilat çuan në dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vrasjes së dyfishtë dhe të djegies së trupave të dy shtetasve, nënë e bir.

Hetimet intensive nisën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në muajin janar, ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre shtetasi O.H. dhe nëna e tij shtetasja S.H., pasi nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk kishim të bënim me një ngjarje aksidentale, por me një vrasje.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

Hysnie Hoxhallari, 32 vjeçe, banuese në Vlorë.

Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum, Fier.

Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit O.H., e S.H., si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.

Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali).

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”, e parashikuar nga nenet 79/dh dhe 25 të Kodit Penal.

Policia e Vlorës, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, dhe në këtë kuadër fton qytetarët dhe mediat në bashkëpunim, me qëllim krijimin e një ambjenti sa më të sigurt për të gjithë.

/abcnews.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne