Bota

Nëntë korridore ajrore për avionët e Katarit për situata emergjente

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti kanë përcaktuar nëntë hapësira ajrore për situata të jashtëzakonshme të cilat mund t’i përdorin avionët e Katarit.

Agjencia e lajmeve të Arabisë Saudite SPA njofton se katër vendet arabe që kanë ndërprerë lidhjet me Katarin në fillim të qershorit caktuan nëntë korridore ajrore që do të përdorin avionët e Katarit në situata të jashtëzakonshme.

Vendimi do të zbatohet nga 1 gushti, kurse një nga korridoret do të jetë në hapësirën ajrore mbi Mesdhe dhe do të jetë nën kontrollin e Egjiptit, ndërsa tetë të tjerat do të jenë në zonën e Gjirit.

Ky hap është ndërmarrë në bashkëpunim në mes të zyrtarëve të aviacionit civil të Arabisë Saudite, EBA, Bahreinit dhe Egjiptit si dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

Përveç kësaj, me këtë hap tregohet edhe angazhimi për sigurinë në aviacionin ndërkombëtar.

Kriza mes Katarit dhe disa vendeve arabe filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me këtë vend.

Katër vendet Dohas i parashtruan një listë me kërkesa në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Nga ana tjetër, Katari ka thënë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare./ AA

OPINIONE

INTERVISTA