“Nëse nuk mbrojmë Aksanë, nesër s’do të mund t’i pengojmë sytë e ligë që kthehen drejt Qabes”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se i ashtuquajturi “Plan i paqes për Lindjen e Mesme”, i shpalosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka për qëllim aneksimin e territoreve të pushtuara palestineze.

Duke folur në takimin e krerëve provincialë në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, Erdogan tha se Turqia asnjëherë nuk do ta pranojë planin e SHBA-së, pasi, siç theksoi, ai “grabit” qytetin e Kudsit.

“Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë kurrë këtë plan, i cili në të vërtetë grabit tërësisht Kudsin dhe eliminon plotësisht Palestinën”, theksoi presidenti turk.

“Nëse s’mund të mbrojmë privatësinë e Aksasë, nesër nuk mund të pengojmë sytë e ligë që kthehen drejt Qabes. Andaj, Kudsi është vija jonë e kuqe”, deklaroi Erdoğan, duke potencuar se Kudsi është çelësi i paqes në botë, “ashtu siç ka qenë për mijëra vjet”.

“Nëse pema e paqes, Kudsi, rrëzohet, atëherë e tërë bota do të ngelet nën të”, theksoi Erdogan.

Presidenti Erdogan kritikoi vendet e botës islame për heshtjen në lidhje me Palestinën.

“Kur shikoj qëndrimet e shteteve në botën islame, më vjen keq për gjendjen tonë. Kryesisht, Arabia Saudite, pse nuk bën zë, kur do të bësh?”, tha Erdogan.

“Braktisja e Kudsit në kthetrat e përgjakura të Izraelit do të jetë e keqja më e madhe ndaj gjithë njerëzisë”, shtoi ai.

“Një shtet hajdut i këtillë në të cilin njerëzit e pafajshëm vriten në rrugë, nuk mund ta ketë asnjëherë respektin tonë”, nënvizoi Erdogan.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne