Netanjahu e detyroi Amerikën të mbyllë misionin e Palestinës në Uashington

Një autor dhe gazetar investigativ amerikan deklaroi se Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump kishte vendosur të mbyllte misionin diplomatik palestinez në Uashington, për shkak të presionit nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

Dave Lindorff, një kolumnist për gazetën Counter Punch dhe një kontribues në organizata të tjera të mediave, i bëri deklaratat të shtunën, pasi Shtetet e Bashkuara ndryshuan vendimin e tyre për të mbyllur zyrën palestineze në kryeqytetin e SHBA. Javën e kaluar qeveria amerikane mbylli misionin diplomatik të Palestinës në Uashington dhe pas këtij veprimi, Palestina pezulloi çdo kontakt me SHBA-të. Megjithatë, të premten Departamenti i Shtetit njoftoi për ndryshimin e vendimit, duke thënë se zyra e Palestinës në Uashington DC do të lejohet të qëndrojë e hapur për të paktën tre muajt e ardhshëm. “Mendoj se amerikanët u përkulën nga presioni i Netanjahut dhe i qeverisë izraelite për të mbyllur zyrën palestineze, por pastaj e kuptuan se ky ishte një gabim, sepse administrata Trump synon të paktën të duket sikur përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve “, tha Lindorff. “Kështu që amerikanët duhej të tërhiqeshin dhe të lejonin që zyra të mbetet e hapur, përndryshe nuk mund të kishin negociata. Pra, kjo është arsyeja pse ata ndryshuan kursin për këtë çështje”, shtoi ai. Ndërkohë, Hanan Ashravi, nga komiteti ekzekutiv i OÇP, tha se SHBA “e kanë skualifikuar veten si ndërmjetësuesi i paqes në rajon” me vendimin për të mbyllur zyrën e Palestinës në Uashington./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne