Netanjahu: Ministri i Jashtëm gjerman nuk ma hap telefonin

Kryeministri izraelit në një intervistë me mediat deklaroi se pasi nuk pranoi t’a presë në takimin ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, ky i fundit nuk ia ka hapur as telefonin.

Benjamin Netanjahu në një intervistë me të përditshmen gjermane Bild, tha: “Pas anulimit të takimit tim me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, e kam telefonuar atë disa herë, por Gabriel as që ma hap telefonin”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu anuloi një takim me kreun e diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel pas një mosmarrëveshjeje të pazakontë për programin e ministrit. Netanjahu, i cili është gjithashtu ministër i Punëve të Jashtme, e mori këtë vendim pasi Sigmar Gabriel refuzoi të hiqte dorë nga një takim me përfaqësuesit e dy OJQ-ve izraelite, shumë kritike ndaj qeverisë. Berlini ka shtuar kritikat e tij për politikat kolonizuese të regjimit të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze. Netanjahu kishte paralajmëruar se nuk do të takohej me përfaqësuesin gjerman, nëse ky i fundit do të zhvillonte takimet e planifikuara me grupet “Thyerja e heshtjes” dhe “B’Tselem”, të cilat kritikojnë ndërtimin e kolonive izraelite në territoret palestineze dhe mbrojnë të drejtat e popullit palestinez. “Imagjinoni sikur kryeministri izraelit të vijë në Gjermani dhe të kërkojë të takohet me njerëzit që kritikojnë qeverinë, por ne t’i themi se s’është e mundur. Kjo do të ishte e paimagjinueshme”, deklaroi Gabriel./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne