Netanyahu shan OKB-në

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu para votimit për Jeruzalemin sonte në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), e ka quajtur OKB-në si “shtëpi të gënjeshtrave”, transmeton Anadolu Agency.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Kryeministrit të Izraelit thuhet se Netanyahu në një fjalim gjatë hedhjes së gurthemelit të një spitali, i cili do të ndërtohet në qytetin Ashdod, në jug të shtetit tha: “E njeh apo nuk e njeh OKB-ja, Kudsi është kryeqytet i Izraelit. Kaluan 70 vite që SHBA të njohë Kudsin si kryeqytet të Izraelit. Do të kalojnë vite që edhe OKB-ja ta njohë këtë”.

Ai tha se Izraeli refuzon votimin lidhur me projekt-rezolutën në OKB. “Shumë shtete nga të gjitha kontinentet e botës, jashtë korridoreve të OKB-së, po ndryshojnë trajtimin e tyre ndaj Izraelit. Së fundmi ky trajtim do të hyjë edhe në korridoret e OKB-së, e cila përbën ‘shtëpinë e gënjeshtrave’. Shteti i Izraelit e hedh poshtë këtë vendim, ende pa u votuar”, deklaroi Netanyahu.

Duke shprehur falënderimet e tij për presidentin e SHBA-ve Donald Trump dhe përfaqësuesen e Përhershme të SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, Netanyahu tha: “Falënderoj presidentin Trump dhe përfaqësuesen e përhershme në OKB Haley për qëndrimin e tyre të palëkundur dhe të guximshëm për Izraelin dhe të vërtetën. Padyshim se do të fitojë e vërteta”.

“Kudsi është kryeqyteti ynë dhe do të vazhdojmë aktivitetet tona të ndërtimit. Duke filluar nga ambasada e SHBA-ve, edhe ambasadat e shteteve të tjera do të zhvendosen në Kuds. Ky është një realitet i pashmangshëm”, tha Netanyahu.

Sonte në AP të OKB-së do të votohet projekt-rezoluta e përgatitur kundër vendimt të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit” dhe zhvendosjen e ambasadës së saj në këtë qytet.

“Çdo vendim apo veprim, i cili do të ndryshojë statusin, karakteristikën apo përbërjen demografike të Kudsit do të vlerësohet si i pavlefshëm”, thuhet në projekt-rezolutë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 6 dhjetor solli vendimin me të cilin njohu Kudsin si “kryeqytet të Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds. Pas këtij vendimi pasuan reagime të ashpra dhe protesta në disa shtete.

Votimi i 14 vendeve anëtare të KS-OKB-së në favor të rezolutës për Kudsin ndaj të cilës u vendos veto vetëm nga SHBA-të, tregoi se vendimi i njëanshëm i SHBA-ve për Kudsin nuk ka gjetur mbështetje në opinionin publik ndërkombëtar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne