Netanyahu takon zyrtarët e lartë amerikanë krahas krizës politike

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka takuar Jared Kushner, këshilltarin e lartë të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe njëherësh dhëndërrin e tij si dhe Jason Greenblatt, të dërguarin e Trumpit për Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

Kushner dhe Greenblatt vizitojnë Izraelin si pjesë e një turi më të gjerë të vizitave në përgatitjet e takimit të mbështetur nga SHBA-të në Bahrein, i cili duhet të tërheqë investime në territoret palestineze.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar takimin që vjen në Manama si faza e parë e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit”, një plan për paqe mes Palestinës dhe Izraelit i përcjellë përmes kanaleve dytësore diplomatike, kushtet e të cilit akoma nuk janë bërë publike.

Në muajin prill, Kushner tha se detaje të planit do të zbulohen pas agjërimit të muslimanëve në muajin e Ramazanit.

Megjithatë, mediat izraelite raportuan sot se kjo do të mund të prolongohet pasi kryeministri izraelit Netanyahu dështoi të krijojë koalicion qeveritar, duke u detyruar që të shpall zgjedhje të shpejta në shtator.

“Kushner mendoi se ai do të vinte në Kuds për t’u takuar me një kryeministër”, shkruan Haaretz. “Në vend të kësaj, ai takohet me një njeri që është detyruar të bëjë plane për fushatën e tij të dytë të rizgjedhjeve këtë vit”.

Sipas gazetës, kriza politike mund të prish planin e paqes së administratës së Trumpit.

E caktuar për më 25 dhe 26 qershor, raportohet se konferenca në Manama do të udhëhiqet nga Kushner dhe Greenblatt.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari kanë shfaqur synimin e tyre për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Duke u bazuar në lajmet e mediave izraelite, plani i paqes i presidentit amerikan do t’i bëjë thirrje kryesisë palestineze për të bërë lëshime ndaj Izraelit sa i takon statusit të Kudsit dhe të drejtave të refugjatëve palestinezë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne