Netanyahu zotohet të aneksojë më shumë territore palestineze

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Izrael, kryeministri i këtij vendi Benjamin Netanyahu është zotuar se do të aneksojë vendbanimin Kiryat Arba dhe zonën e qytetit të vjetër të Hebronit (Al-Khalil) nëse rizgjidhet në zgjedhjet e ardhshme.

Netanyahu e bëri këtë premtim në një intervistë në radion e ushtrisë izraelite, ku ai u përgjigj në një pyetje nëse është i gatshëm të aneksojë “pjesët hebraike të Hebronit, përfshirë vendbanimin e Kiryat Arba”.

Netanyahu u përgjigj se “këto zona do të jenë pjesë e Izraelit”, duke shtuar se, “Por unë kam nevojë për një mandat për ta bërë këtë”.

Në fillim të këtij muaji, Netanyahu bëri një vizitë në Hebronin e okupuar (Al-Khalil) dhe tha se, “Ne do të qëndrojmë këtu përgjithmonë”.

Netanyahu gjithashtu tha se tashmë i ka treguar presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për qëllimin e tij “të deklaronte sovranitet mbi të gjitha komplekset hebraike” në Bregun Perëndimor të okupuar.

Komentet e Netanyahu për aneksimin e pjesëve të Hebronit (Al-Khalil) pasojnë premtimin e tij të javës së kaluar për të aneksuar rajonin e Luginës Jordan në Bregun Perëndimor të okupuar.

Vëzhguesit i shohin këto premtime si pjesë të fushatës së tij elektorale për të fituar vota nga baza e krahut të djathtë në Izrael.

Të dielën, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) mbajti mbledhje urgjente ku adresoi planet e Netanyahu dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) të reagojnë kundër këtyre planeve.

Turqia, Lidhja Arabe dhe vendet evropiane, si dhe zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, theksuan se janë të shqetësuara nga deklarata e aneksimit të kryeministrit izraelit, duke thënë se plani i aneksimit do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

Ligji ndërkombëtar i sheh Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si “territore të okupuara” dhe të gjitha aktivitetet e ndërtimit të kolonëve hebraike i konsideron si të paligjshme.

Afër 70 mijë palestinezë, së bashku me rreth 9.500 kolonët hebrenj, aktualisht jetojnë në Luginën Jordan, e cila është një tokë e madhe, pjellore, që përbën afërsisht një të katërtën e territorit të përgjithshëm të Bregut Perëndimor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne