Nga na erdhën këta pro-amerikanë!?

Në ditët e fundit diskutimet mbi votën e Shqipërisë në OKB, lidhur me vendimin e administratës amerikane për zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem ka ngjallur aq shumë debat e diskutime, sa që edhe sherri i madh për emërimin e një kryeprokurore të përkohshme, po harrohet me shpejtësi.

Një sherrnajë e re ka ulur në fushë, si një klasike e parathënë, shumicën qeverisëse dhe opozitën, se cila në një rendje të pashoqe për të dëshmuar besnikërinë ndaj Amerikës dhe, njëra, opozita, për të vërvitur shumicën në vorbullën e mosmirënjohjes ndaj Amerikës dhe thikë në shpinën e saj, e tjetra, për të mbrojtur një vendim, i cili mund të ishte më i moderuar, por që edhe kështu si ndodhi, nuk përbën asnjë gjëmë dhe as antiamerikanizëm. Nëse do të trajtohej një votim si qëndrim antimerikan, atëherë vetë ky shtet i madh do e kishte ndjerë të ftohtin nga bllokimi, por në fakt, as nuk e çau kokën fare.

Të gjitha shtetet që votuan pro rezolutës që nuk e quante të drejtë vendimin e Presidentit Trump, nuk janë lodhur për t’i hyrë një debati të kotë dhe të pabukë, sepse e dinë fare mirë se një votë e tillë nuk është hiç më tepër se një  votë kalimtare, për njërin ndër problemet e zakonshme të cekjeve mes shteteve, edhe kur ata janë të mëdha e të rëndësishëm, si Gjermania, Franca, Italia, Anglia..edhe kur janë si puna jonë, që nuk dihet në fund të fundit përse e kanë hedhur votën.

Në fakt Shqipëria ka nevojë edhe për Shtetet e Bashkuara, edhe për Evropën. Asnjëra nuk mund të përjashtojë tjetrën. Të jesh proevropian do të thotë të jesh edhe proamerikan, pasi ndajnë të njëjtat vlera, të njëjtin vizion për një botë të civilizuar dhe liri njerëzore, ashtu si kanë edhe ndasitë e tyre, herë të rëndësishme, e herë kalimtare. Kjo e fundit është njëra ndër më kalimtaret në politikë, e cila, edhe pse ka ndezur gjakrat në Lindjen e Mesme do të ketë edhe detantën e saj.

Në Shqipëri gjakrat u ndezën. Loja e vjetër, ne jemi e ju nuk jeni, ne e duam e ju nuk e doni, ne jemi besnikë e ju jeni tradhtarë, u hap edhe një herë, secila palë duke rrahur gjoksin e duke u përbetuar se vetëm ata e kanë në duar flamurin proamerikanizëm dhe se vetëm ata janë të gatshëm të bien theror për Amerikën.

Një opozitë e shtrirë që nga institucioni i presidentit, i cili, në fakt, qoftë edhe për hir të staturës së tij politike që vetë kjo shumicë, deri diku përdhunshëm ia ka dhënë, duhej të ishte në dijeni, më pas ose më herët tek trashëgimia politike që ai ka lënë, në LSI, duke vazhduar në PD-në , që sot për sot merakun më të madh e ka se mos shpërthimi i lësëistëve po e nxjerr atë si opozitë të legjionit të dytë..të gjitha, si një kor i përbashkët u bënë shoq më shoq dhe mallkuan qeverinë e tyre për këtë sherrnanjë të pashoqe dhe vunë kujën. Presidenti i vendit shkoi edhe më tej: ai i shkroi një letër të gjatë presidentit amerikan, duke iu përbetuar atij për besnikëri, duke bërë të njëjtin gabim të shumicës qeverisëse: mosmarrëveshjen e dy palëve.

Zëra të njohur brenda opozitës pëdëiste, në të gjithë këto ditë po lakojnë qeverinë e shtetit të tyre si një strukturë tradhtare, thikë ngulëse, ndaj partnerit më të madh dhe u duket se me këtë britmë politike po shkundin nga vetja gjithë atë baltë që morën përsipër për të ja hedhur, vetëm pak ditë më parë, përfaqësuesit më të lartë të shtetit amerikan, dërguar në Tiranë, jo në emër të familjes së tij, por të qeverisë së tij. Nuk e di sa do të jetë zoti Lu ambasador në Tiranë, ndoshta edhe i vetë nuk e di, por deri sa në vendin e tij do të vijë një tjetër, ai është emblema e këtij shteti në Tiranë. Përbuzja ndaj tij, lëshimi i mallkimit dhe delegjitimi i zorshëm ndaj figurës së tij dhe mesazheve që përcjell është deligjitim edhe i shtetit amerikan.

Vërtet të jenë bërë kaq proamerikan liderët e opozitës? Të kenë qenë e askush nuk e ka ditur? U shfaqën befas së të tillë, por ata ishin kështu dhe momenti i shfaqi vlerat e tyre?

E gjithë lotderdhja është një hipokrizi e radhës, e shtirur, e sajuar dhe pa asnjë ndjenjë të së vërtetës brenda saj.

Shefi real i opozitës, Berisha, në jetën e tij politike nuk ka asnjë rast tjetër të shkapërderdhjes së mendjes dhe të mallkimit, sa ai që u ka bërë të gjithë ambasadorëve amerikanë në vendin tonë. Nuk ka asnjë prej tyre që të mos ketë marrë me vete mallkimet e tij, që për to të mos ketë dërguar letra dhe qarje në Departamentin e Shtetit, të mos ketë paguar miliona dollarë, përmes një loje të pistë në lobingjet e ndryshme dhe firmat mister për heqjen e tyre. Aq shumë ka lobuar kundër tyre sa që , edhe sot e kësaj dite, secili prej të deleguarve amerikanë e kanë atë makthin e keq të një stature politike të çartur, që askurrë, as kur e vendosën në pushtet lobe të fuqishme, si të Igëllberger-it, me fije të shumta financiare e politike të përbashkëta me klanet serbe, nuk u ndje i kënaqur dhe, sapo ata arritën të shohin pas tij antiamerikanin e madh, iu sul përbindshëm.

Shefi juridik i opozitës së madhe, edhe sot e kësaj dite, nuk mundet të sqarojë manovrimet e turpshme që ka bërë me pagesa të dyshimta financiare në lobe dhe klane të jetës e politikës amerikane, duke shkelur të gjithë ligjet e mundshme. Ditët e fundit, për një pagesë fantazmë, ai ia mvesh donacioneve të shqiptarëve të Amerikës, çka, edhe nëse do të kishte një pjesë të së vërtetës, duheshin lajmëruar, saktësuar dhe informuar.

Në ditët e fundit, saktësisht të hënën, të dy ata, i vjetri dhe i riu, pamje e njëjtë nën maska të ndryshme, shfaqën të gjithë amerikanizmin e tyre, duke refuzuar të vazhdojë reforma e drejtësisë, një ligj i plotë, i cili, jo vetëm është hedhur në tryezën e partive politike e të parlamentit nga shteti amerikan, me përfaqësues të drejtpërdrejtë të tij, por që fare mirë një ditë do të mund të njihet si Ligji Donald Lu. Askush më shumë se ata nuk ishin haptas kundër këtij ligji, thellësisht proamerikan, i sponsorizuar haptas prej tij, i miratuar nga forca e këtij shteti, duke i detyruar të 140 deputetët që pas mesnatës të ngrinin kartonët e miratimit.

Ngjarje të shumta të viteve të fundit kanë dëshmuar se e gjithë politika e opozitës së sotme është ngritur kundër vlerave të lirisë dhe të demokracisë. Hidhërimi i tyre i sotëm i ngjan zemërimit të shërbëtorit të vogël, i cili, nga gëzimi se shefi i madh derdhi një gotë çaji, mendon se mund ta përmbysë dhe të jetë shefi i ri.

Këto promerikanë të mëdhenj ishin në vorbullën e madhe të armëve kimike dhe, nëse në mbrëmje binin dakord me një ambasador tjetër, në mëngjes i luanin sytë protestës qytetare, duke qenë edhe objekt edhe subjekt i një klime të çuditshme dhe të pa marr vesh politike.

Pro apo anti amerikan nuk të bën një çast, një karton i ngritur në miratim apo kundër asaj që është shtruar në diskutim. Nuk është e gjithë bota antiamerikane dhe, po ashtu, jo të gjithë ata, me të cilët u bashkua Shqipëria, ishin muslimanë. Edhe vetë bota muslimane nuk është antivlerave të demokracisë amerikane dhe dallimet e pjesëve mes këtyre vendeve nuk janë gjithnjë herezi.

Shqipëria , ashtu si u bashkua me një rezolutë të paraqitur nga një vend musliman, ashtu mund të ishte bashkuar edhe nëse këtë do e kishte paraqitur një vend thellësisht katolik, si Italia.

Fakti që këtë përdallim po mundohen ta bëjnë pikërisht ata që e futën Shqipërinë në botën islame dhe i hapën rrugën e lirë lëvizjes ekstreme vahabiste në Shqipëri e tash tundin një flamur tjetër, në mos për të qarë, të bën për të qeshur.

Vërtet nga na erdhën këto proamerikanë në Shqipëri?

Ata më kujtojnë, në këtë fillesë krishtlindjesh, një thënie të Jezusit:

“Paralajmërimi për profetët e rremë”

Ruhuni nga profetët e rremë! Ata duken, vërtet, si dele që i takojnë kopesë, por në të vërtetë janë ujq që kanë dalë për gjah! Ju mund t’i njihni nga ajo që bëjnë. Nga ferrat s’mund të vilet rrushi dhe as nga murrizat s’mund të vilen fiqtë. Një pemë e shëndoshë jep fruta të mira, kurse një pemë e keqe fruta të këqija…….”

Bedri islami

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne