NGA PARTIA KOMUNISTE TEK PARTIA SOCIALISTE: PROFILI I PËRGJAKUR I NJË VIJIMËSIE POLITIKE

Nga Xhafer Sadiku
Partia Komuniste e Shqipërisë, që nga themelimi më 8 nëntor 1941, ka kaluar në tri faza kryesore që kanë ndikuar thellësisht në fatet e Shqipërisë. Shtatë vitet e para ajo funksionoi si një degë e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, duke realizuar projektet jugosllave në Shqipëri, ndër të cilat më i rëndësishmi ishte eliminimi i nacionalistëve shqiptarë. Në këtë fazë, terrori u ushtrua kryesisht përmes SEMP-it, më vonë i njohur si Sigurimi i Shtetit – një strukturë e dominuar nga elementë fanatikë të komunistëve shqiptarë, që vepronin si terroristë politikë të ideologjisë jugosllave.
Faza e dytë, më e gjatë dhe më e errët, zgjati nga nëntori i vitit 1948 deri më 12 qershor 1991. Me vendimin e Kongresit të Parë të PKSH, partia ndërroi emrin në Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH), duke braktisur orientimin titist dhe duke u përqafuar plotësisht me stalinizmin sovjetik. Në këtë periudhë, baza e ideologjisë komuniste u bë lufta e klasave dhe ndëshkimi i çdo elementi “të huaj” apo “armiqësor”. Përçarja e shoqërisë shqiptare u institucionalizua përmes dhunës, propagandës, burgimeve dhe internimeve. Edhe pse ndryshoi emrin, Enver Hoxha e bëri të qartë se anëtarët e partisë do të mbeteshin komunistë – bindje që nuk u lëkund as kur sistemi ra.
Faza e tretë filloi më 6 qershor 1991, kur PPSH ndryshoi emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë. Megjithatë, ndryshimi ishte më shumë formal se substancial: nuk pati asnjë reflektim publik apo autokritikë për krimet, dënimet e pa drejta, përndjekjet dhe plagët e thella që partia i kishte shkaktuar shoqërisë shqiptare për më shumë se gjysmë shekulli.
Në këto 84 vite ekzistencë, kjo parti ka ndërruar katër herë orientimin ideologjik: nga titizmi në stalinizëm, pastaj në maoizëm dhe, në formën më të fundit, në atë që shumë e identifikojnë me një neo-jakobinizëm të maskuar, apo me ndikimin ideologjik të rrjeteve globale të Xhorxh Sorosit – të njohur ndryshe si “sorosizëm”. Po kështu, ajo ka ndërruar katër herë edhe padronët: Tito, Stalini, Mao dhe së fundi ideologët e globalizmit liberal.
Në politikën e jashtme, partia u ka shërbyer gjithnjë interesave të huaja, ndërsa në politikën e brendshme ka shënjestruar, dënuar dhe përndjekur pikërisht ata që kanë mbrojtur interesat kombëtare – patriotët shqiptarë. Kjo vijë e dhunës ideologjike, e deformuar në emër të popullit, por gjithnjë në shërbim të pushtetit dhe të huajve, mbetet njolla më e errët në historinë moderne të Shqipërisë./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne