Shqiperia

Nga sot, mbi 20 mijë shqiptarë rrezikojnë vendet e punës. Arsyeja vjen nga Italia

Nga dita e sotme e në vazhdim mijëra shqiptarë rrezikojnë që të humbin vendet e tyre të punës. Kjo për shkak të ligjit të miratuar nga qeveria italiane.

Kështu sot do të hyjë në fuqi ligji “Për delokalizimin”. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Ndërkohë Shqipëria ka nisur të ndiejë efektet.

TIM, Sky, Fastweb kanë reduktuar kontratat në Shqipëri. Por edhe pse u lajmërua që para 4 muajsh, qeveria shqiptare thuajse nuk ka bërë asgjë për të negociuar, vetëm dërgimit të ndonjë letre në ambasadën e Italisë, ku është diskutuar për këtë gjë.

E nga ana tjetër për ministren e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, është më se normale që shteti italian të mbrojë interesat e biznesit të tij përmes hartimit të këtij ligji.

Në këtë industri të call centerave janë të punësuar më shumë se 20 mijë shqiptarë, shumica prej të cilëve janë të rinj që kanë mbaruar universitetin dhe shpëtimin e tyre e kanë gjetur duke punuar në këtë “profesion”.

E mbyllja e këtyre aktiviteteve në Shqipëri do të sillte edhe nxjerrjen e tyre në rrugë, duke shkaktuar një tjetër valë sociale varfërie./syri

OPINIONE