Ngacmimet seksuale në Institucionet Kosovare

Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi – Profesor i Studimeve Islame pranë FSI në Prishtinë.

Ngacmimet seksuale janë prezentë pothuajse në çdo institucion të vendit. Këtë pothuajse të gjithë e besojnë dhe se pak kush e mohon, pavarësisht mashkull apo femër. Rasti i fundit në Universitetin e ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë është dëshmia më e freskët në lidhje me këtë dukuri, e cila vetëm sa po shtohet. Kohëve të fundit me sa po duket kjo dukuri ka mare përmasa të mëdha, mu për këtë edhe u protestua kundër këtij fenomeni. Madje çuditërisht u shkarkua edhe një Pro-Rektore, e cila në cilësinë e një femre i këshilloj vajzat që të kenë kujdes me veshjen.

Ngacmimet seksuale nuk kanë kapluar vetëm institucionet shtetërore por edhe ato partiake. Kjo ngase vetëm para një kohe u raportua se në selinë e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, për një kohë jo të shkurtër, kishte pasur afera e ngacmime seksuale. Krerët e kësaj lëvizje premtuan se tash e tutje do jenë shumë të prerë në lidhje me këtë fenomen.

Por a thua vallë cilat janë shkaqet e përhapjes së këtij fenomeni dhe cili është ilaçi i tij:

  • Shkaqet e ngacmimeve seksuale:

Sigurisht se shkaqet e ngacmimeve seksuale janë të shumta, mirëpo do të përmendim vetëm disa në pika të shkurtra:

– Informimi në detaje ‘transparenca’ tepër e madhe rreth gjithçka që ka të bëjë me seksin. Fëmijët i ekspozohen këtij fenomeni që në moshë tepër të re, që jo rrallë herë kalon në ankth dhe torturë psikike. Kështu fëmijët qysh në bankat e para të shkollës turpërohen nga mësuesit, mësueset e arsimtarët që falsin ‘copy and paste’ në lidhje me programet dhe projektet e importuara të të ashtuquajturit ‘edukim seksual’ pa menduar fare për moshën e fëmijëve, kulturën familjare, rrethanat dhe ambientin që janë rritur. Pra, fëmijët jo vetëm që e mësojnë çdo detaj në lidhje me këtë proces, porse ata e ato vihen para një trysnie psikologjike që këtë ta praktikojnë sapo tu jepet shansi i parë. Kështu duke përsëritur në vazhdimësi këto ‘projekte’, pas të cilave fshihen përfitimet materiale dhe ideore të eksperimentimeve të ndryshme, fëmijët rriten me ato ide në kokë e që më vonë u kalojnë në shprehi të cilat nuk mund t’i largojnë lehtë.

– Dëshira e madhe për ta provuar atë që e kanë mësuar qysh në bankat shkollore të fillores. Mu për këtë shumë raporte na vënë në dijeni se një pjesë e madhe e nxënësve kryejnë marrëdhënie intime gjatë shkollës fillore.

-Veshja ekstreme e vajzave dhe provokimi i meshkujve, qoftë nëpër ambiente shkollore qoftë ato zyrtare në vende pune.

-Nxitja dhe inkurajimi gati i të gjitha institucioneve për zhveshje, apo veshje sa më provokuese, duke e konsideruar atë edhe si lloj emancipimi dhe përparimi kulturor.

– Interneti, TV dhe revistat e ndryshme sigurisht se luajnë rolin e vet në motivimin dhe rritjen e ngacmimit seksual.

– Liria e pakontrolluar dhe hapësira e madhe që i jep shteti, ligji dhe shoqëria secilit individ, në emër të të drejtave civile, të flas e të veprojë çfarë të dojë pa pasur jo vetëm frikë por as respekt për asgjë dhe askënd. Kjo u mundëson të rinjve të kenë kontakt intim me këdo dhe kudo, bile edhe publikisht nëse do.

-Sa u përket shkollave dhe vendeve të punës sigurisht se njëri nder faktorët kyç që çon drejt ngacmimeve seksuale është përzierja në mes të gjinive, zbukurimi dhe qëndrimi i vajzave dhe djemve vetëm me njeri-tjetrin për një kohë të gjatë. Në situata të këtilla secili provokon tjetrin. Mu për këtë që disa dekada në SHBA dhe Amerikë Latine janë shtuar zërat për t’i ndarë nxënësit nëpër shkolla sipas gjinisë. Mos përzierja e gjinive rezulton të paktën me reduktim të ngacmimeve seksuale dhe dhunimeve, nëse nuk i parandalon në tërësi. Po kështu përzierja e gjinive është shkaktar i suksesit të dobët tek shumë nxënës, pasi që ata më vështirësi përqendrohen në mësime kur qëndrojnë pranë njeri-tjetrit, veçanërisht pasi të jenë dashuruar.

– Mënyra e parandalimit dhe mjekimit të këtij fenomeni:

Sa i përket shteteve të perëndimit ato pothuajse të gjitha e ndalojnë rreptësishtë ngacmimin seksual dhe kanë paraparë procedura dhe sqarime për këto dukuri. Megjithatë, ato lejojnë imoralitetin dhe kontaktin seksual me dëshirë dhe pëlqim, bile edhe inkurajojnë në forma dhe mënyra të ndryshme. Kjo në fakt përbën një rrezikshmëri të lartë pasi që kur e di njeriu se kontaktin seksual me pëlqim nuk e ka të ndaluar me ligj, ai shpesh herë ngacmon kolegen e tij në shkollë apo në punë për ta realizuar kënaqësinë e vet apo për ta plotësuar nevojën e tij seksuale, duke menduar se edhe pala tjetër ndjenë të njëjtën nevojë apo dëshirë dhe se do të pranoj të bëjë seks.

Pasi të filloj veprimi dhe asgjë nuk shkon sipas planit të kryhet, vajza refuzon e madje edhe ankohet në organet relevante për ngacmim seksual e kështu rasti përfundon në vepër penale si tentativë për dhunim apo të ngjashme. Ndaj po ta kishte ditur personi në fjalë se vajza, në parim, nuk pranon kontakt të paligjshëm intim, respektivisht po ta konsideronin që të dy se kontakti seksual mund të kryhet vetëm brenda martesës, atëherë nuk do vinte fare deri tek ngacmimi seksual. Mu për këtë ligjet e perëndimore, edhe pse me shumë detaje e procedura, megjithatë nuk janë treguar të efektshme kundër kësaj dukurie. Kështu që feja mbetet përsëri parandaluesi më i mirë i kësaj dukurie, e cila e konsideron kontaktin seksual jashtëmartesor si të paligjshëm dhe imoral. Kjo jo vetëm në fenë tonë Islame ngase kontaktin intim jashtëmartesor e ndalon edhe feja e krishterë, ajo çifute, budiste hinduse apo çfarëdo tjetër. Pra duke përdorur bindjen si mjet, fetë parandalojnë ngacmimin seksual në mënyrë shumë më të efektshme sesa ligjet, rregulloret dhe procedurat kundër ngacmimit seksual.

– Sigurisht se edhe veshja e ka rolin e vet. Prandaj lejimi vajzave nëpër shkolla respektivisht i nëpunëseve të vishen me veshje tepër provokuese e ka efektin e vet negativ në përhapjen e kësaj dukurie. Natyrisht se natyra mashkullore është e tillë që provokohet nga gjinia e kundërt, veçanërisht kur vajza e re qoftë ajo nxënëse apo kolege e punës vishet me mini-fund apo çfarëdo veshje tjetër provokuese. Ajo kështu i jep sinjal secilit që ka përreth se është e gatshme të çoj dashuri. Kështu mashkulli reagon në mënyrë instiktive për të realizuar vrullin e tij rinor, e kur femra e refuzon atëherë vjen deri tek ngacmimi seksual.

Natyrisht se femrat mund të arsyetohet e të kundërshtojnë këtë ide duke thënë se edhe ne kemi të drejtat tona të vishemi si të duam, përse na shikojnë meshkujt, përse na ngacmojnë?! Përgjigjën do të mundohem ta ilustroj përmes një tregimi popullor. Imagjinojeni sikur një njeri i uritur të ketë zbritur nga bjeshka në qytet dhe ja aty gjen shitore e restorante të hapura pa asnjë punëtorë apo roje, çfarë mendohet se do bënte ky njeri i uritur? A është e mundur se ai do të bëjë durim e të mos i prek asnjë nga to ushqime që aq shumë e ka marrë uria por edhe malli, madje në shikimin e tij ato janë falas fare. Duhet të jemi real e të gjykojmë drejtë. Shumë bindje të fortë duhet të ketë ky njeri për të rezistuar e të thotë jo nuk i ha se nuk janë të miat, nuk i kam fituar e as që kam bërë diçka për t’i merituar ato. Pra le të mendojnë pak femrat rreth psikologjisë dhe pikëpamjes së meshkujve.

Se këndejmi, shumë kompani serioze me famë të madhe botërore, madje edhe shumë qeveri, u ndalojnë rreptësishtë nëpunëseve të tyre të vishen në mënyrë të tejdukshme, gjysmëzhveshur, me bluza të hapura e veshje tjera provokuese, pikërisht për shkak të asaj që u tha më lart. Madje edhe shumë sociologë e njerëz me ndikim nëpër vendet e zhvilluara po kërkojnë me të madhe ndarjen e nxënësve nëpër shkolla, ashtu që shkolla të së njëjtës gjini kanë filluar të veprojnë pjesërisht në shumë vende të botës.

-Parandalimi i Ngacmimeve Seksuale nga Pikëpamja Islame

Sa i përket fesë islame mendoj se ajo mësë miri e mjekon këtë dukuri. Në vijim do të dëshiroja të cekja shkurtimisht hapat kryesorë:

– Feja Islame bind pasuesit e vet se kontaktiintim jashtë martesor, qoftë para qoftë pas martesës, dhe çdo gjë që të shpie drejt tij janë të paligjshme, dhe se një gjë e tillë është më kundërshtim me kodin moral islam dhe gjynah apo mëkat i madh.

-Feja islame ndalon rreptësishtë provokimin qoftë nga ana e meshkujve qoftë nga ana e femrave. Fillimisht ajo i porositë besimtarët meshkuj që të ulin shikimin dhe të mos i zgurdullojnë sytë secilit kalimtar apo personi që gjendet në afërsi, por të shikoj me vetëm kur është nevoja dhe me kujdes e modesti. Islami po kështu porositë femrat që të vishen thjeshtë dhe modest, duke mos vënë në shënjestër bukuritë e tyre. Se këndejmi ajo ndalon ngacmimin nga ana e meshkujve por edhe provokimin nga ana e fermave. Që të dyja palët janë krijesa të respektuara të Zotit që duhet ta duan dhe dashurojnë njeri-tjetrin, brenda kodit moral, si dhe ta respektojnë e vlerësojnë njeri-tjetrin nëse në mes tyre nuk ka ndonjë lidhje legjitime që ua mundëson kontaktin intim. Përndryshe çdo kontakt jashtë këtyre normave konsiderohet amoralitet, shkelje nderi dhe jo respekt për secilën palë, mashkull apo femër qoftë. Kurani na porositë:

Mos ju ofroni imoralitetit (zina-kurvëri) vërtet ajo është një mëkat i madh” (Isra:35).

Këtu përfshihen shumë gjëra, që nga synimi (nijeti) i njeriut e deri në fund kur të realizohet mëkati.

-Bile feja islame ndalon edhe përzierjen e tepërt në mes të gjinive përpos kur ndihet nevoja apo nuk ka ndonjë mundësi tjetër. Po kështu edhe feja jonë, sikur të tjerat që përmend më herët, rekomandon ndarjen e nxënësve në shkolla sipas gjinisë përkatëse, veçanërisht gjatë moshës se pjekurisë ku me rastin përzierjes pak nga nxënësit i kushtojnë vëmendje mësimit. Madje edhe në vendet e punës mundësisht do të ishte mirë që së paku të ndahen zyrat ashtu që mundësia e vetmisë me një mashkull apo femër të reduktohet sa të ketë mundësi. Kur ata janë grumbull si në mbledhje fjala vjen apo diskutim projektesh e të ngjashme, atëherë këtu përzierja është më e arsyeshme sepse ka të bëjë me dijen, shkëmbimin e ideve dhe fokusi në punë. Këtu më pak mund të mendoj dikush rreth tjetrit por të gjithë janë të preokupuar rreth mendimeve dhe ideve se si të përparojnë projektin, prodhimin apo procesin e punës në përgjithësi.

-Feja konsideron ruajtjen e nderit dhe moralit ndër parimet themelore të fesë dhe karakterit njerëzor, duke premtuar shpërblim të madh për njerëzit që e ruajnë nderin, cilësdo gjini që i përkasin, po kështu kërcënim për shkelësit e nderit pavarësisht cilës gjini i takojnë. Allahu xh.sh na udhëzon në Kuran:

“…e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme),përveçse ndaj bashkëshorteve...” (Meraixh, 29-30).

– Kurani cekë edhe tregime rreth njerëzve të zgjedhur të Zotit, të cilët i rezistuan fuqishëm provokimeve dhe ngacmimeve seksuale edhe pse ishin meshkuj. Ata nuk ranë pre e atyre provokimeve duke e ditur se imoraliteti është mëkat i madh dhe veprim manipulues në dorën e djallit. Në kaptinën Jusuf, Zoti i madhërishëm shpjegon provokimin e rënd që i bëri gruaja e një ministri shërbëtorit të saj,Jusufit alejhi selam, i cili triumfoi dhe nuk ra në kurth. Ajo jo vetëm që e ngacmonte seksualisht sa herë që e shihte apo i kërkonte ndonjë shërbim, por deshi edhe ta detyroi të bënte imoralitet me të duke e ditur statusin e tij si i skllavëruar se nuk mund të bënte asgjë. Por Jusufi edhe pse djalë i ri, i fuqishëm e i pamartuar, përplot epshe e pasione, ai ishte i bindur se një gjë e tillë nuk lejohet. Kjo ishte cytje e shejtanit, kundërshtim i porosive të Zotit si dhe shkelje të nderit të padronit të vet.

Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. (Jusuf, 23).

Duke pasur këtë parasysh, ruajtja dhe mbrojtja e nderit tek ne muslimanët është njësoj sikurse ruajtja apo mbrojtja e jetës, gjakut dhe pasurisë, qoftë të vetes apo të tjetrit, domethënë është e shenjtë. Kështu ka qenë dhe tek shqiptarët e hershëm deri dikur vonë. Por tash, në emër të lirisë e demokracisë, sikurse na ka ‘marr pusi’ dhe kemi humbur apo pakësuar dukshëm këtë parim të rëndësishëm të shqiptarisë.

– Padyshim se mësimi fetar qoftë nëpër xhami e pse jo edhe nëpër shkolla mund ta luaj një rolë shumë të rëndësishëm në këtë çështje. Pra çështja e edukimit nuk është vetëm fotografi dhe pamje vizuale rreth jetës seksuale por ajo para-se-gjithash është bindje dhe edukim i brezave të ri që ta duan por edhe ta respektojnë njeri-tjetrin. Feja nuk e ndalon as dashurinë e as martesën, por e ndalon vetëm keqpërdorimin, pra feja mbron njësoj sikur jetën fizike po ashtu edhe atë emocionale. Këto njëra pa tjetrën nuk funksionojnë. Ndaj sigurisht që secili njeri që është i thyer apo i fyer emocionalisht kjo do të ndikojë që ai/ajo kurrë të mos ketë sukses në jetën normale. Përmes shenjtërimit dhe respektimit të jetës bashkëshortore, feja jonë ka arrit të mbrojë jetën e mijëra miliona njerëzish anekënd globit. Kështu kanë mbijetuar gjeneratë pas gjenerate populli ynë pavarësisht sfidave dhe furtunave që u ka sjellë koha. Asnjë popull e asnjë individ në botë nuk lavdërohet për amoralitet apo provokime seksuale, por lavdërohet për moral, ruajtje nderi dhe sjellje korrekte.

-Feja islame ka obliguar femrën që të vishet si duhet, thjeshtë dhe modest pa pasur për qëllim, as mos ta realizoj paqëllim,provokimin. Sepse provokimi sjellë ngacmimin, ngacmimi dhunimin dhe kështu me radhë. Kjo madje po pranohet publikisht edhe nga sociologë e shkencëtarë të ndryshëm.

Prandaj, nëse vërtet duam ta parandalojmë ngacmimin seksual si fenomen dhe dukuri në përhapje dhe zgjerim e sipër, duhet pasur parasysh të gjithë faktorët që i cekëm më lart, pra duhet me i ‘ra kësaj pune pas’ siç thotë populli. Përndryshe është rrezik se do të vjen një kohë ku secili njeri që dërgon bashkëshorten apo të bijën në punë, do ketë frikë se ajo do të ngacmohet seksualisht nga kolegët e saj. E këtë sigurisht se nuk e dëshiron askush.

Njeriu është qenie që jeton dhe vdes; por nderi, dinjiteti dhe imazhi i tij nuk vdesin me vdekjen e njeriut.

Lutëm që Zoti i madh të mbrojë popullin tonë e ta ruaj atë nga çdo e ligë dhe e keqe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne