Ngërçi në Kushtetuese/ Avokati i Popullit padi kundër KED në Gjykatën Administrative të Apelit

Avokati i Popullit ka paditur Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në lidhje me procedurat e ndjekura  për listat e vakancave për në Gjykatën Kushtetuese, çështje kjo që solli shumë përplasje politike, kryesisht të Presidentit, Ilir Meta me kreun e KED, Ardian Dvorani.

Padia është regjistruar në Gjykatën Administrative të Apelit më 31 dhjetor të 2019. Institucioni i Avokatit të Popullit e kishte paralajmëruar që me datë 19 dhjetor të vitit që lam pas një padi të tillë, ku me anë të një reagimi publikoi një raport të gjatë rreth KED. Ndërkohë kërkohet është shfuqizimi i neneve të caktuar në disa vendime të KED-së.

Institucioni i Avokatit të Popullit që është edhe një nga organet kryesore që mbikëqyr veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtës theksohen se padia është bërë “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë” si dhe “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”. Gjykata Administrative e Apelit njofton se e ka regjistruar çështjen dhe shorti për shqyrtimin e saj ka përzgjedhur gjyqtaren Enkelejda Softa (Metaliaj).

Ndërkohë në raportin e publikuar më parë nga Avokati i Popullit ndaj KED, theksohej se gjatë hartimit të rregulloreve të funksionimit të KED u konstatua një përpjekje për të kufizuar kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit për të marrë pjesë në mbledhje, duke “parashikuar një kufizim të mëtejshëm të transparencës së Këshillit”.

Për sa i përket këtij kufizimi Avokati i Popullit, post ky që mbahet nga Erinda Ballanca, e njohur ndryshe edhe si avokatja e familjes Berisha, e cila u emërua në maj të 2017-ës, me propozim të Lulzim Bashës sipas marrëveshje PS-PD, thotë se një parashikim i tillë është në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta ka dhënë dhe kështu ata kanë ngritur edhe padinë.

Avokati i popullit ashtu si presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të  hedh akuza ndaj kreut të KED duke thënë se është vërejtur mungesë transparence në ngritjen e KED. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese ka sjellur një përplasje mes presidentit dhe mazhorancës, por edhe mes Presidentit dhe kreut të KED, Ardian Dvorani.  Pas emërimit të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në kaos për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur. Nga ana tjetër Arta Vorpsi që në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është vlerësuar si e para me pikë për t’u zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese, u shpall edhe në fletoren zyrtare, megjithatë ajo nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek presidenti Meta. Presidenti ka bërë edhe një padi kundër  Ardian Dvorani, padi të cilën e dorëzoi në tre prokurori, të Përgjithshem, të Krimeve të Rënda dhe organin e akuzës së Tiranës, për dy vepra penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Padia e rregjistruar në Gjykatën Administrative

/Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne