Ngritja e të djathtës ekstreme të Polonisë

Nga Volha CHARNYSH

Si ekstremizmi po bëhet një prirje e përgjithshme

Rreth 60.000 njerëz marshuan më 11 nëntor në Varshavë për të përkujtuar Ditën e Pavarësisë së Polonisë. Tema qe fetare: slogani zyrtar i marshimit ishte, “Ne duam Zotin,” dhe një shërbesë kishtare i parapriu veprimtarisë. Por kjo nuk ishte thjesht shëtitje familjare. Përbri prindërve dhe fëmijëve, ultranacionalistët dhe fashistët mbanin pankarta ku lexohej, “Vdekje armiqve të atdheut,” “Gjak i pastër,” dhe “Europë e bardhë”. Mysafirët e huaj përfshinë Roberto Fiore-n, një fashist i vetidentifikuar, i cili udhëheq partinë italiane Forca e Re, parlamentarin neonazist sllovak Milan Mazurek, të mirënjohur për mohimin e tij të Holokaustit, dhe një sërë anëtarësh të partisë ksenofobe hungareze Jobbik.

Organizatorët e marshimit, Rinia Mbarëpolake dhe Kampi Nacional-Radikal, ndjekin e mbështesin një ideologji fundamentaliste katolike dhe besojnë se vetëm kristianët e bardhë e kanë vendin në Europë. Ato pretendojnë të vijojnë traditat e organizatave eponimike në Poloninë e mes dy luftërave botërore, të njohura për sulmimin e hebrenjve, gjermanëve dhe socialistëve. Sot ato vënë në shenjë ateistët, homoseksualët, hebrenjtë, muslimanët dhe liberalët.

Demonstrimi i hapur i ksenofobisë dhe fashizmit në Ditën e Pavarësisë shkaktoi tronditje dhe u dënua në Perëndim. Katër ditë më vonë, i shtyrë pjesërisht nga mungesa e respektit për vlerat europiane në marshim, Parlamenti Europian votoi për të nisur një proces pezullimi të të drejtave të votimit të Polonisë në BE.

Brenda Polonisë, partia nacionaliste qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (e njohur si PiS), e ngriti fillimisht lart marshimin si patriotik. Ministri i Brendshëm, Mariusz Blaszczak, një aleat i ngushtë i udhëheqësit të PiS-it, Jaroslaw Kaczynski-t, e quajti aktivitetin një “pamje të bukur” dhe deklaroi se nuk pa ndonjë pankartë fashiste. Deputeti i PiS-it, Dominik Tarczynski, shkroi në Twitter një premtim për mbështetje ligjore për pjesëmarrësit e “përfolur” si fashistë.

PiS-it iu deshën dy ditë që të merrte një qëndrim modestisht kritik. Më 13 nëntor, një zëdhënëse e partisë tha se ishte “e pamundur të kontrolloheshin banderolat e rreth 60.000 njerëzve në një shtet demokratik”. Vetëm presidenti Andrzej Duda, i cili u paraqit si kandidat i PiS-it në zgjedhjet e 2015-s, e që atëherë ka treguar gjithnjë e më tepër pavarësi nga partia, i kritikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë “ksenofobinë, nacionalizmin dhe antisemitizmin” e marshuesve.

Ngurrimi i PiS-it për t’i denoncuar marshuesit reflekton një fakt të parehatshëm rreth partisë. Për vëzhguesit e jashtëm, elementët fashistë në dukje në marshim pasqyruan vetëm një pakicë ekstreme në shoqërinë polake, një pakicë që ka patur pak sukses elektoral. Por realiteti është shumë më shqetësues: PiS-i ka kooptuar të djathtën radikale përgjatë dekadës së fundit dhe i ka shtënë shumë prej ideve të saj në vijën e përgjithshme ideologjike.

Rrënjët e populizmit polak

Pse u bë në Varshavë një prej tubimeve më të mëdha në Europë të së djathtës ekstreme që nga Lufta e Dytë Botërore? Luajtën sigurisht një rol dy faktorë të lidhur me rigjallërimin e të djathtës radikale në Europën Perëndimore: pakënaqësia ekonomike dhe prurja e refugjatëve. Ndonëse ekonomia e Polonisë është renditur në mënyrë të vazhdueshme midis atyre me rritje më të shpejtë në Europë, të mirat e rritjes janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, dhe pagat në Poloni mbeten ende prapa atyre në Europën Perëndimore. Shumë polakë me të ardhura të ulëta ndihen tani si qytetarë të dorës së dytë, jo vetëm në BE, por gjithashtu në vendin e tyre. Në një sondazh të kryer prillin e shkuar, vetëm 22 për qind e të anketuarve qenë në një mendje se çdokush në Poloni kishte mundësi të barabarta, pavarësisht nga rrethanat materiale, dhe 86 për qind u ankuan se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve në Poloni ishte tepër i madh.

Dhe ndonëse asnjë refugjat musliman nuk ka hyrë në Poloni, polakët po i vështrojnë me ankth lajmet për prurjet e refugjatëve në Europë. Në sfondin e terrorizmit, dhe pa kontakte personale me refugjatët, polakët duket të kenë pak empati për emigrantët jokristianë. Në një anketim kombëtar në prill të 2017-s, 74 për qind e të përgjigjurve e kundërshtuan pranimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika; vetëm 40 për qind ngurruan me pranimin e refugjatëve nga Ukraina fqinje.

Por pakënaqësia ekonomike dhe prurja e refugjatëve janë vetëm pjesë të shpjegimit për forcën e së djathtës ekstreme në Poloni. Sentimentet ksenofobike dhe fundamentaliste kanë rrënjë të thella historike në vend. Ideja se vetëm katolikët janë polakë të mirë të çon prapa, te Roman Dmowski, një politikan i së djathtës që pati ndikim të madh në periudhën midis luftërave botërore, sido që e mbajti për fare pak kohë një post qeveritar, si ministër i Punëve të Jashtme, për shtatë javë, në vitin 1923. Admirimi për Dmowski-n, i cili e mbrojti pavarësinë polake, por gjithashtu admiroi fashizmin italian dhe ishte një antisemit i angazhuar, i bashkon sot polakët anembanë spektrit politik. Lidhja mes Katolicizmit dhe identitetit polak u bë më solide në vitet 1980 falë rolit qendror të luajtur nga Kisha Katolike te Solidarnosti, lëvizja punëtore antikomuniste që luftoi për të drejtat e punëtorëve dhe reforma demokratike.

Shkrirja rezultuese e konservatorizmit fetar dhe e nacionalizmit polak është shfrytëzuar nga lëvizjet e së djathtës ekstreme. Propozimet për të ndaluar abortin dhe eutanazinë bashkojnë kokërruarit racistë dhe gjyshet e përshpirtshme. Kisha Katolike e dënon ksenofobinë, dhe papa Françesku ka kërkuar solidaritet me refugjatët. Por disa elita katolike në Poloni janë hapur kritike ndaj axhendës reformiste të Papës dhe ngurruese ndaj pranimit të emigrantëve muslimanë. Bashkudhëtarët, si radiostacioni fetar i linjës së ashpër Radio Maryja, po dërgojnë një mesazh haptazi sfidues, duke e bashkuar fundamentalizmin kristian me islamofobinë dhe antisemitizmin.

Historia e ngarkuar e Polonisë e kombndërtimit, e ndërprerë në mënyrë të përsëritur nga luftërat dhe pushtimi, u jep aktivistëve të së djathtës një burim të pasur tropesh martirizimi dhe tradhtie për të mbështetur vizionin e Polonisë si të rrethuar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Lëvizjet bashkëkohore radikale kanë adoptuar emra dhe tradita nga periudha mes dy luftërave botërore dhe të mbledhura pas ngjarjeve të veçanta historike. Merrni glorifikimin e të ashtuquajturve Ushtarë të Mallkuar, një lëvizje rezistence ilegale antikomuniste, aktive pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas një prej udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare, ushtarët e mallkuar luftuan për “Poloninë e madhe, të pavarur dhe katolike, jo për një shtet shekullar, për përparim shoqëror apo për solidaritet europian”. Referenca të tilla shërbejnë për ta lidhur të djathtën moderne radikale me opozitën historike ndaj komunizmit dhe u shkojnë për shtat votuesve që ndihen të lënë pas dhe nuk u besojnë politikanëve tradicionalë.

Organizata ekstremiste kanë shkuar akoma më tej, duke i shfrytëzuar sentimentet ekzistuese popullore, dhe janë përpjekur të ngulisin forma të reja të nacionalizmit, veçanërisht te fëmijët në moshë shkollore. Rinia Mbarëpolake ka kërkuar të krijojë një brez të ri “patriotësh” polakë përmes programeve së jashtmi të padëmshme për studentët e gjimnazit dhe universitetit, që përfshijnë gara sportive, leksione mbi çështjet historike dhe sociopolitike, dhe pelegrinazhe. Aktivitete të tilla i japin mundësi grupit të përhapë mendimin etnonacionalist dhe të shtjerë në mendjen e votuesve të ardhshëm të ndikueshëm referenca specifike historike dhe kulturore. Manifesti i grupit thekson “parimet e Besimit të Vetëm, të Vërtetë, të Shenjtë Katolik” dhe “i shpall luftë arbitraritetit, liberalizmit, tolerancës dhe relativizmit”.

Si PiS-i përfiton nga ksenofobia e rigjallëruar

Ngritja e lëvizjeve ekstremiste është alarmuese, por deri më tani ato kanë patur pak sukses elektoral. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015, Lëvizja Kombëtare, një parti ekstremiste e formuar në 2012-n nga Rinia Mbarëpolake dhe Kampi Nacional-Radikal, fitoi vetëm pesë vende. Ajo ishte në gjendje të kapërcente pragun elektoral prej pesë për qind për t’u përfaqësuar në parlament nëpërmjet bashkëpunimit me Kukiz-15, një grup populist i ndryshëm ideologjikisht. Lëvizja Kombëtare është sot në duart e një njeriu, ndërsa katër nga pesë parlamentarët e saj kaluan në radhët e Kukiz-15. Robert Winnicki, anëtari i saj i vetëm i parlamentit, bën njëra pas tjetrës deklarata provokuese, por ka pak ndikim.

Shumë më shqetësim se këto parti periferike sjell radikalizimi në rritje i PiS-it qeverisës. Ca nga figurat elitare të PiS-it ndajnë qartësisht bindje të së djathtës ekstreme, ndonëse linja zyrtare e partisë është tejet më e butë se ato të grupeve ekstremiste. Në vend të thirrjes për rrëzimin e sistemit demokratik, PiS-i premton t’i mbrojë interesat e njerëzve të zakonshëm duke reformuar sistemin e drejtësisë. Në vend të shtënies së censurës së hapur, kërkon të marrë kontrollin e radiostacioneve dhe të televizionit publik për t’i bërë ato më “të paanshme, objektive dhe të besueshme”. Por kur partia është më pak e mbikëqyrur, deklarimet e saj u ngjajnë atyre të Rinisë Mbarëpolake dhe të Kampit Nacional-Radikal. Udhëheqësi i PiS-it, Jaroslaw Kaczynski, paralajmëroi në vitin 2015 se emigrantët mbartnin “sëmundje shumë të rrezikshme që mungonin prej kohësh në Europë”, e se do t’i përdornin kishat kristiane si “tualete”. Këtë gusht, deputeti i PiS-it, Bogdan Rzonca, donte të dinte në Twitter se pse kishte “aq shumë hebrenj midis atyre në favor të abortit, me gjithë Holokaustin”.

Ngritja dhe rënia e Ligës së Familjeve Polake (LPR), të së djathtës ekstreme, ilustron largësinë në tkurrje midis PiS-it dhe partive ekstremiste. LPR-ja fitoi 7.9 për qind të votave në vitin 2001, pak më poshtë 9.5 përqindëshit të PiS-it. Por fati elektoral i LPR-së mori për keq kur PiS-i, që ia kishte nisur duke premtuar të luftonte krimin dhe korrupsionin, lëvizi për nga e djathta dhe u deklarua në një mision për të luftuar erozionin e vlerave patriotike dhe kristiane në Poloni.

Më pas, në vitin 2006, PiS-i, që e kishte çuar një vit si një qeveri pakice pas fitimit të një shumësie vendesh në zgjedhjet e 2005-s, e ftoi LPR-në për të formuar një koalicion, duke thyer tabunë e pranisë së ekstremistëve në qeverisje. Kjo u dha mundësi disa politikanëve ekstremistë të ndikojnë drejtpërdrejt në politikën publike. Roman Giertych, asokohe kryetari i Rinisë Mbarëpolake dhe një deputet i LPR-së i njohur për antisemitizëm dhe homofobi të hapur, kryesoi Ministrinë e Arsimit. Piotr Farfal, një ish-kokërruar me simpati fashiste, drejtoi televizionin shtetëror polak. Kur, në zgjedhjet e 2007-s, LPR-ja nuk ia doli të kalonte pesëpërqindëshin e pragut elektoral për përfaqësim në parlament, disa e panë këtë si shenjë të dobësimit të votës ekstremiste. Në fakt, kjo thjesht reflektoi realitetin se PiS-i kishte bërë të tijët shumë prej politikanëve dhe votuesve të LPR-së.

PiS-i humbi në ato zgjedhje ndaj partisë shumë më liberale Platforma Civile (PO), pas vetëm dy viteve në pushtet. Votuesit e rinj kishte vrapuar për në kutitë e votimit për të mundur binjakët Kaczynski, Jaroslaw-in dhe të vëllanë, Lech, atëherë presidenti, të parë si telash për Poloninë. Por, në 2015-n, PiS-i fitoi 37.6 për qind të votave dhe një shumicë në parlament. Partia përfitoi nga zhgënjimi popullor në rritje me statukuonë, nga mbështetja e Kishës Katolike, dhe nga përqindja e lartë e votave (15 për qind) të hedhura për parti që nuk e kaluan pragun elektoral. Jaroslaw Kaczynski e shmangu polemikën duke e koordinuar fushatën nga pas skenës dhe duke nxjerrë për postet e kryeministrit dhe presidentit politikanë që krijonin më pak mospajtim se ai. Ai e riparaqiti Lech-un, të vdekur në një aksident ajror në Rusi, në prill 2010, si një dëshmor për Poloninë, dhe e akuzoi PO-në qeverisëse për mbulim të lojës së pistë nga Kremlini në vdekjen e të vëllait të tij. Vizioni i PiS-it mbi një Poloni të rrethuar nga armiq nuk ngjante më i huaj për shumë polakë. Studimet treguan se thuajse një e treta e popullsisë besonte se Lech-u ishte vrarë nga Rusia.

Sot PiS-i është më popullor se kurrë, dhe pak ngjan i bezdisur nga pikëpamjet e veta ekstremiste. Faqja elektronike për Marshimin e Ditës së Pavarësisë së 2018-s është tashmë e ndërtuar. Ajo rendit figura historike dhe bashkëkohore që organizatorët i shohin si më të rëndësishmet për përparimin e mëvetësisë polake. Menjëherë pas papës Gjon Pali II vjen Lech Kaczynski.

Përpjekjet e Rinisë Mbarëpolake, të Kampit Nacional-Radikal, dhe të organizatave të ngjashme për ta edukuar dhe për ta bërë bashkë brezin e ri të të ashtuquajturve patriotë duket të jenë shpërblyer. Polakët e rinj janë gjithnjë e më shumë konservatorë dhe populistë në zgjedhjet e tyre elektorale. PiS-i nuk është më vetëm partia e të të moshuarve, ruralëve dhe të paarsimuarve. Në zgjedhjet parlamentare të 2015-s, një shumicë e të rinjve votuan ose për PiS-in, ose për Kukiz-15, një koalicion që përfshinte Lëvizjen Kombëtare. Prirja elektorale mund të kthehet gjithsesi, por legjitimimi i intolerancës dhe ksenofobisë që ka arritur e djathta ekstreme do të jetë e vështirë të zhbëhet./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne