Nigeri, 15 të vdekur që nga fillimi i protestave kundër dhunës policore

Së paku 15 persona kanë humbur jetën që kur shpërthyen protestat këtë muaj në Nigeri kundër brutalitetit të policisë, tha të hënën Amnesty International (AI).

Organizata për të drejtat e njeriut tha se dy policë ishin në mesin e viktimave ndërsa qindra njerëz janë plagosur.

Protestat mbarëkombëtare kanë vazhduar që nga 7 tetori pavarësisht nga shpërbërja e njësisë policore të Skuadrës Speciale Kundër Grabitjes (SARS).

Protestat kundër SARS vazhduan për disa ditë dhe demonstruesit rrethuan selinë e saj.

Ata brohorisnin “Fundi i SARS” dhe derdhën bojë të kuqe në rrugën përpara ndërtesës, referencë simbolike për vrasjet e pretenduara nga oficerët e SARS.

Pavarësisht shpërbërjes së SARS, protestuesit vazhduan demonstratat e tyre duke kërkuar reforma gjithëpërfshirëse të policisë, përfshirë dënime për oficerët që kanë gabuar, lirimin e pakushtëzuar të të gjithë protestuesve të ndaluar dhe kompensimin për familjet e viktimave të brutalitetit policor.

“Shpërbërja e SARS është vetëm hapi i parë në angazhimin tonë për reforma të gjera policore në mënyrë që të sigurojmë që detyra kryesore e policisë dhe agjencive tjera të zbatimit të ligjit mbetet mbrojtja e jetës së njerëzve tanë”, tha presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, javën e kaluar në Twitter./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne