Niset nga Turqia treni i parë i eksporteve Turqi-Gjeorgji

Treni i parë i eksportit midis Turqisë dhe Gjeorgjisë u përcoll të martën për në Gjeorgji me një ceremoni organizuar në Erzurum me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të Hekurudhave Shtetërore të Turqisë (TCDD), Ali Ihsan Uygun dhe homologut të tij gjeorgjian, David Peradze.

Në fjalën e tij drejtori Uygun foli për investimet e mëdha që janë bërë në shkallë globale në sektorin e hekurudhave, i cili ka fituar një rëndësi edhe më të madhe këto vitet e fundit.

Ne e vlerësojmë shumë realizimin e projektit të hekurudhës Baku-Tblis-Kars,- u shpreh Uygun dhe shtoi se me këtë linjë hekurudhore, e cila është hapur në vitin 2017, deri më sot është bërë transport i mallrave ndërmjet Turqisë, Azerbajxhanit dhe Kazakistanit.

Drejtori i përgjithshëm i hekurudhave turke (TCDD) u rikujtoi të pranishmëve se marrëveshja e bashkëpunimit mes dy vendeve ishte firmosur pas bisedimeve që kishin realizuar në qershor 2017 me Hekurudhat e Gjeorgjisë, një vend mik dhe vëlla me të cilin Turqia ka lidhje historike dhe kulturore.

“Kështu që treni i eksportit që po përcjellim sot, është rezultat konkret dhe fryti i parë i kësaj marrëveshjeje”, nënvizoi ai.

Treni do të transportojë pluhur sode, që përdoret në industrinë e xhamit, si dhe mineral hekuri që përdoret në industrinë e prodhimit të çelikut, sqaroi më tej drejtori Uygun, ndërsa shtoi se ky tren është treni i parë i eksportit që do të punojë ndërmjet Turqisë dhe Gjeorgjisë.

Kurse drejtori i Hekurudhave të Gjeorgjisë, David Peradze tha nga ana e tij se “Kjo është një ditë historike për Gjeorgjinë dhe Turqinë dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e projektit”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne