Nisin hetimet për prokurorin Artan Lulaj, lehtësoi akuzat për çështjen e Marvi Mihalit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar këto ditë procedim penal në ngarkim të prokurorit të Tiranës, Artan Lulaj, dhe dy gjyqtarëve të Tiranës, Sokol Pasho dhe Bedri Qori.

Procedimi është regjistruar vetëm katër ditë, pasi babai i Marvi Mihalit, të riut që u vra me thikë një vit më parë pas një sherri për një karikues, ka bërë kallëzim ndaj të treve për korrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Shkak për kallëzimin u bë lirimi i tre prej katër të arrestuarve për vrasjen e Marvi Mihalit, ku sipas babait të viktimës, prokurori Artan Lulaj i ndryshoi akuzat, nga vrasje në bashkëpunim, në moskallëzim krimi.

Pas ankesave të tij publike, Prokuroria e Tiranës mori masa të menjëhershme, duke zëvendësuar prokurorin e çështjes Artan Lulaj me prokurorin Gjergj Tako. Në kallëzimin e dorëzuar më 25 maj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, babai i viktimës, Pavllo Mihali, akuzonte prokurorin Artan Lulaj për korrupsion.

Ai, madje, ka rrëfyer në kallëzim edhe takimin me prokurorin Lulaj, i cili, sipas tij, i ka thënë se “nuk pyet njeri” për punën e tij. Kallëzimi është dërguar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Kryeprokurores Arta Marku. Kujtojmë se më 11 maj të këtij viti, u liruan nga qelitë e paraburgimit Eugen Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla, ndërsa i vetmi që mbeti në burg është Dejvi Bitraj, që ka marrë autorësinë e krimit.

Mirëpo, nga pamjet filmike duket që qartë se Dejvi Bitraj, pasi e godet me thikë në shpinë Marvi Mihalin, largohet nga vendngjarja më shpejtësi, ndërsa tre të tjerët vazhdojnë ta dhunojnë barbarisht derisa i riu jep shpirt.

Kallëzimi është bërë më datë 24 maj 2018 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndaj Artan Lulajt, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Bedri Qori, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Sokol Pasho, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kliton Zharrit, oficer i Policisë Gjyqësore.

“Ky person (Artan Lulaj), në kundërshtim të hapur me detyrën fisnike që i ka ngarkuar shtetit shqiptar, shkel të gjitha të drejtat tona dhe të djalit tonë, Marvi Mihali, duke lënë të lirë tre nga katër të pandehurit e procesit penal. Ky prokuror, në mënyrë abuzive gjatë 8 muajve të fundit, nuk na thërriti qoftë edhe një herë për të komunikuar dhe për të na dëgjuar në lidhje me ngjarjen makabre ku 4 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vranë djalin tonë të vetëm, Marvi Mihali.

Ky prokuror, në këmbim të shumave të parave, këmbeu gjakun e derdhur të djalit tonë, me lirinë e tre kriminelëve, duke i liruar me akuzën e ‘moskallëzimit të krimit’, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, edhe pse nuk ishin në asnjë nga kushtet dhe kriteret për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale. Ne, prindërit e Marvi Mihalit, viktimës së veprës penale, edhe pse i paraqitëm provat e pakundërshtueshme, ai me arrogancë u shpreh se ‘kam gabuar’ dhe ju “shkoni ku të doni, unë nuk pyes njeri”. Dhe jo vetëm; ky prokuror, në mënyrë të fshehtë, takohej me baballarët e kriminelëve Bitraj dhe avokatin e tyre”, shkruante Pavllo Mihali në kallëzimin drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne